/

Para nisjes për Bruksel, Kurti portreton veten si palë konstruktive, kompromiset thotë se i ka bërë Martti Ahtisaari

Të enjten më 14 shtator në Bruksel do të mbahet takimi i nivelit të lartë në mes të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë. Aleksander Vucic. Në një intervistë për DW në prag të këtij takimi, kryeministri Albin Kurti në vazhdimësi ka thënë se Kosova ka bërë punën e saj dhe se s’mund të pritet kompromis apo lëshim nga Prishtina zyrtare për çështjen e Asociacionit apo për atë se si duhet që veriu t’i kthehet normalitetit. Derisa ka numëruar veprimet e Beogradit dhe faktin që Serbia s’ka shprehur gatishmëri as që ta nënshkruaj Marrëveshjen e Ohrit. Gjithashtu ka pasur një kritikë dhe porosi për Borell dhe Lajcak që të jenë më të zëshëm kur shkilet marrëveshja dhe jo të mos dëgjohen fare si në rastin kur Serbia doli kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për DW ka folur për takimin e 14 shtatorit, Marrëveshjen e Ohrit, Asociacionin e masat e Bashkimit Evropian që janë vendosur ndaj Kosovës pas ngjarjeve në veri të vendit.

I pyetur se për kërkesën perëndimore për zgjidhje konkrete dhe për atë se çfarë ofron Kosova, kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova është treguar konstruktive dhe kreative.

Këtu ka përmendur edhe pranimin që Kosova i ka bërë propozimit franko-gjerman dhe më pas edhe Marrëveshjes së Ohrit, të cilën edhe ka shprehur gatishmërinë për nënshkrim. Ndërkohë që ka vënë theksin se edhe përkundër se kanë kaluar muaj nga arritja e marrëveshjes, ajo s’po implementohet.

Kurti s’është pajtuar me konstatimin e gazetares së DW se në Perëndim po shihet si pala bllokuese, meqë s’po e themelon Asociacionin dhe s’po ofron rrugëdalje pas krizës në veri. Sipas kryeministrit Kosova jo gjithë Perëndimi mendon njejtë për atë që po ndodh në Kosovë dhe për atë çfarë duhet të bëhet. Kurti edhe një herë ka theksuar gatishmërinë e Kosovës për nënshkrimin e marrëveshjes së 27 shkurtit në Bruksel dhe asaj të Ohrit më 18 mars, ndërkohë që Serbia ka refuzuar nënshkrimin.

Për Veriun ka thënë se Kosova është angazhuar për de-eskalim dhe se de-eskalimi sipas Kurtit ka ndodhur. Ndërkohë që ka theksuar se duhet pasur kujdes që të mos rikthehen tensionet të cilat mund të vijnë vetëm nga Serbia, por assesi nga Kosova.

“Ne e kemi pranuar marrëveshje me 11 nene dhe gjashtë pika të preambulës, marrëveshja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga viti 2013 konsiderohet në mesin  e 39 marrëveshjeve, në nenin 10 të marrëveshjes bazike që ne e kemi bërë. Pra, neni 10 thotë se marrëveshjet e kaluara 39 sosh që janë të vlefshme dhe të obligueshme duhet të zbatohen, por aty janë 39 dhe jo vetëm dy”, ka thënë kryeministri për DW.

Por a do të ketë ndonjë kompromis në këtë takim në Bruksel për Asociacionin dhe veriun? Kurti ka pohuar se kompromiset i ka bërë Martti Ahtisari i cili me propozimin e tij ka bënë themelin e Kushtetutës së Kosovës. Ndërkohë që ka theksuar se Serbia vazhdon ta ketë Kushtetutën e Koshtunicës.

Tutje Kurti ka shtuar se të kërkosh nga Kosova që të kompensojë Serbinë për humbjen e territorit në kohën e regjimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviqit është një padrejtësi e madhe. Kreu i ekzekutivit kosovar ka potencuar se ia ka bërë të qartë edhe Vuçiqit që pranon kërkesa për të drejtat e qytetarëve dhe jo për struktura të reja që duan fuqi ekzekutive dhe një president si lloji i Dodikut.

“Unë jam kryeministër i të gjithë serbëve në Kosovë, sikurse i shqiptarëve, romëve, ashkalinjëve egjiptasve, turqve, boshnjakëve dhe goranëve. 93 % janë shqiptar ndërsa, serb janë 4%. Unë jam kryeministër i të gjithëve i dëgjoj të drejtat që i kërkojnë, nevojat që i kanë, mirëpo nuk mund të pranojë kërkesa të etnonacionalizmit territorial. Unë ju kam thënë edhe Presidentit Vuciq, edhe ndërmjetësve evropian që unë nuk pranojë kërkesa jo territoriale, kërkesa për të drejtat e qytetarëve e jo për struktura të reja të cilat dëshirojnë të kenë fuqi ekzekutive dhe një president si lloji i Dodikut në Kosovë”, ka thënë Kurti.

I pyetur për pikat ku Kosova mund të lëviz për arritjen e një kompromisi sa i përket Asociacionit dhe de-eskalimit në veri, Kurti ka përmendur pikën e 10 të Marrëveshjes së Ohrit dhe gatishmërinë për të shkruar statutin për vetëmeanxhimin, që ndërlidhet edhe me pikën 10 të marrëveshjes ku ndodhet edhe Asociacioni. Si bazë për Asociacionin, Kurti ka thënë se janë vendimi i Kushtetueses, letra e Mogherinit dhe qëndrimi i përbashkët Chollet-Escobar.

“Unë kam ofruar në Ohër ta shkruaj draft-statutin për nenin shtatë që është vetmenaxhimi i komunitetit serb në lidhje me nenin dhjetë dhe marrëveshjet e mëhershme me tri shtylla: Kushtetutshmëria dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, letra e zonjës Federika Mogherini, e cila thotë se nuk mund të ketë nivel të tretë të pushtetit me fuqi ekzekutive, dhe qëndrimi i Derek Schollet dhe Gabriel Escobar nga State-Departamenti amerikan për koordinim të këtyre komunave, mirëpo, presidenti i Serbisë e ka refuzuar një gjë të tillë’, ka thënë Kurti.

Në këtë intervistë Kurti është pyetur se çfarë do të ofrojë që Kosovës t’i hiqen masat dhe për të rifituar besimin dhe përkrahjen e Gjermanisë si shtet që ka qenë shumë afër Kosovës.

Kurti ka përmendur raportet e mira që Kosova me Gjermaninë dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare përgjatë viteve të fundit. Sipas tij, këto masa janë duke e dëmtuar Kosovën në shumë aspekte. Ndërkohë thotë se BE-ja thotë se këto masa nuk i ka emëruar si sanskione, meqë pastaj do të duhej t’i hidhte në votim në Bashkim Evropian. Sipas kryeministrit të Kosovës nëse do të hidheshin në votim, shumica e shteteve nuk do të kishin votuar “për”.

Por sipas Kurtit, këto masa janë vendosur duke vendosur një metodë të konsensusit të heshtur, përmes një email-i të dërguar nga Brukseli.

“Por, ata nuk i kanë quajtur sanksione, por i kanë quajtur masa në mënyrë që mos të jenë të detyruar ti votojnë në Bashkimin Evropian. Po t’i hidhnin në votim, jam i bindur që shumica dërmuese  e shteteve nuk do të ishin për, por e kanë përdorur një metodë të konsensusit të heshtur me një email që është dërguar nga Brukseli dhe na i kanë vendosur masat”, ka thënë Kurti për DW.

Kryeministri i Kosovës ka thënë se tryeza e dialogut është dëmtuar nga këto masa dhe sipas tij ato duhet të hiqen samë parë, meqë është më mirë edhe për BE-në që prezanton vlera dhe për Kosovën që ka nevojë për zhvillim.

Por a do të bëjë Kosova ndonjë gjë që të hiqen këto masa, meqë kërkohen veprime konkrete nga Qeveria e Kosovës? Sipas Kurtit, Kosova ka bërë pjesën e saj duke zvogëluar praninë e policisë në ndërtesat komunale në veri dhe ka shkruar udhëzimin administrativ për zgjedhjet në veri.

I pyetur nëse dorëheqja e kryetarëve do të ishte zgjidhje më e lehtë, Kurti ka deklaruar se Kosova ka shtyrë zgjedhjet në veri, ka shtyrë afatin për regjistrim të partive politike për të marrë pjesë Lista Serbe ndërkohë që thekson se serbët i kishin braktisur institucionet dhe kishin bojkotuar zgjedhjet me qëllim të keq. Sipas Kurtit ky është gabimi i tyre dhe Kosova nuk do të duhej ta paguaj.

Në fund, i pyetur se cili do të jetë lajmi nga takimi që do ta mbajë me Vuçiqin në Bruksel më 14 shtator, Kurti shpreson në kthim tek zbatimi marrëveshjes së Ohrit, që nënkupton një plan të sekuencuar për zbatimin e saj. Gjithashtu Kurti ka thënë se pret ashpërsi më të madhe nga Borell dhe Lajcak në momentin kur marrëveshja shkelet, duke kritikuar kështu zyrtarët evropianë s’e s’kanë bërë zë kur Serbia votoi kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Shpresojë që do të kthehemi në binarët e zbatimit të marrëveshjes bazike dhe kjo nënkupton një plan të sekuencuar të zbatimit të marrëveshjes. Gjashtë fjalitë e para të preambulës, 11 nenet dhe 12 pikat e aneksit të zbatimit nga Brukseli e nga Ohri do të duhej që të zbatoheshin sa më parë në plotni. Dhe çdo herë kur ka shkelje të marrëveshjes, referet Borrel dhe Lajçak, do të duhej të vërshëllenin për shkeljen që u bë, e jo sikurse me datë 24 prill kur Serbia në Këshillin e Evropës votoi kundër anëtarësimit të Kosovës dhe ndonëse kjo ishte shkelje e nenit 4 të marrëveshjes që kemi bërë, nga Brukseli nuk u dëgjua kurrfarë zëri as pëshpërimë, e jo më vërshëllime”, ka potencuar kryeministri Albin Kurti.

Leave a Reply

Your email address will not be published.