/

Haxhiu insiston se Kodi Civil votohet këtë vit, thotë se nuk e ka parë padinë e Blerta Deliu-Kodrës

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se Kodi Civili do të procedohet për votim në Kuvend këtë vit.

Ajo sqaroi se këtë vit në Kosovë për vizitë do të qëndrojë një delegacion i Këshillit të Evropës, duk shtuar se institucionet duhet të dëshmojnë se janë pro avancimit të te drejtave të njeriut.

Madje ka ftuar deputetët e pozitës e opozitës që ta votojnë siç tha një dokument shumë të rëndësishëm, për çka tha se kanë diskutuar me bashkëpartiakët që janë kundër.

“Unë kam thënë që brenda këtij viti do të procedohet Kodi Civil, konsideroj që është një dokument shumë i rëndësishëm dhe sidomos duke pasur parasysh që delegacioni nga Këshilli i Evropës do të vij në Kosovë gjatë këtij viti, është mirë që Kosova të dëshmoj si vend që është për avancimin e të drejtave të njeriut”.

“Ne do ta zbatojmë programin qeverisës që e kemi, do ta zbatojmë agjendën legjislative që e kemi, i ftoj deputetët e Kuvendit, që të japin mbështetje për një dokument që konsideroj që është shumë i rëndësishëm për qytetarët e Republikës së Kosovës, ne e kemi pas diskutim me deputetët e grupit tonë parlamentar, tani më së miri do ta shihni kur ky projektligj do të kaloj në Kuvendin e Kosovës”.

“Unë mendoj që do të duhej të kaloj, nuk besoj që Kosova do të ishte një shembull i mirë në qoftë se për herë të dytë rrëzohet një dokument siç është Kodi Civil, prandaj duke pasur parasysh këtë çështje, uroj që deputetët e grupit parlamentar të Vetëvendosjes dhe opozitës, sepse edhe ata njësoj e kanë për obligim ta mbështesin të njëjtin”.

Duke folur për padinë e deputetes së PDK-së, Blerta Deliu-Kodrës, ajo tha se nuk a ka parë këtë dokument, por që insiston që ajo ka keqpërdorur buxhetin e shtetit.

Madje shtoi se do t’i drejtohen Komisionit Disiplinor për shkeljen e bërë në Komisionin për Kompensimin e Viktimave të Krimit, raporton EO.

“Unë nuk e kam parë padinë, unë kam njoftuar Komisionin për Legjislacion që zonja Deliu-Kodra, ka qenë dhe vazhdon të jetë anëtare e Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit dhe është kompensuar në shpërputhje me legjislacionin në fuqi, ligji për kompensimin e viktimave të krimit, vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, para sheh që kompensohesh vetëm nëse merr pjesë në mbledhjet e Komisionit dhe ka rezultuar që ajo ndonëse nuk ka marrë pjesë në mbledhjet e Komisionit është kompensuar, sigurisht që për këtë mbajnë përgjegjësi personat përgjegjës në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë tashmë jemi duke i verifikuar të gjitha hallkat e personat që kanë këtë përgjegjësi dhe siguri që do të procedojnë në Komisionin Disiplinor, sepse shpërdorimi i parasë publike, keqpërdorimi i buxhetit publik është vepër penale prandaj edhe duhet të marrim përgjegjësi për këtë”. /EO

Leave a Reply

Your email address will not be published.