Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar disa nga 23 vendimet që janë miratuar sot gjatë mbledhjes së 159-të të Qeverisë:
- Miratuam Projektligjin e ri për Shërbime Sociale dhe Familjare.
- Inicuam reformë me Projektligjin për falimentim.
- Themeluam Këshillin për Zhvillim të Industrisë.
- Për të avancuar tutje bashkëpunimin në drejtësi, miratuam tri nisma të marrëveshjeve me Mbretërinë e Suedisë.
- Me marrëveshjen me Austrinë, bashkatdhëtarëve tonë do të mundësohet njohja e përvojës së punës në të dy republikat.
- Për pjesëmarrjen e Kosovës në “Programin e Tregut të Vetëm”, dërguam në Kuvend marrëveshjen ndërkombëtare me Bashkimin Evropian.
- Aprovuam Koncept-dokumentin për Fushën e Shërbimeve të Navigacionit Ajror.
- Në solidaritet me popullin turk, ndamë 500 mijë euro për mbështetje të familjeve të ndikuara nga tërmeti në Turqi.
- Ndamë mjete financiare për të mbuluar shpenzimet e transportit të kufomës së shtetases argjentinase.
- Për realizimin e projekteve për katër deponi sanitare, për regjionet Prishtinë, Prizren, Podujevë dhe Gjilan, iniciuam shpronësimin e parcelave përkatëse.
- Miratuam vendimet preliminare për shpronësim për interes publik për zgjerimin e rrugëve rajonale Prizren-Prevallë dhe Doganaj-Shtërpcë.
- Pronat e menaxhuara dhe në pronësi të Republikës së Kosovës ia dhamë në shfrytëzim pa kompensim komunës së:
• Fushë Kosovës për ndërtimin e objektit të Njësisë profesionale për Zjarrfikje dhe Shpëtim, si dhe
• Hanit të Elezit për ndërtimin e hapësirës për administratë dhe për park të qytetit. - Miratuam kërkesat për shpronësim të komunave të Prizrenit dhe Rahovecit, për varrezat e qytetit, përkatësisht ndërtimin e sheshit qendror të qytetit.