Reagon MASHTI pas raportimit se nxënësit po dënohen në mungesë librash

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka deklaruar se ka angazhuar Inspektoratin e Arsimit që të verifikojë rastet kur mësimdhënësit po i dënojnë nxënësit të cilët nuk posedojnë ende libra.

Ministria ka thënë se për këtë do të përgatitet një raport dhe do të ndërmerren të gjitha masat në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Gjatë ditës, në media është raportuar për një deklaratë të drejtoreshës së Arsimit në Komunën e Mitrovicës, Drita Kadriu, se në disa shkolla nxënit dënohen me “qëndrim në një këmbë” për shkak të mungesës së teksteve shkollore.

Sipas ministrisë edhe në Mitrovicë, procesi i furnizimit me tekste shkollore për klasat 1-5 është duke u përmbyllur me sukses.

Në reagim thuhet se “nuk kemi pranuar asnjë raport nga Drejtoritë Komunale për probleme me furnizim me tekste shkollore”.

Reagimi i plotë:

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka përcjellë me shqetësim raportimet e mediave lidhur me deklaratat e drejtoreshës së Arsimit në Komunën e Mitrovicës, Drita Kadriu dhe lajmet që kanë dalë nga këto deklarime.

Rastet e dënimeve ose ndëshkimeve të nxënësve siç ka pretenduar drejtoresha, janë të papranueshme. Institucioni në krye të së cilit është znj. Drita Kadriu, ka përgjegjësi dhe detyrë për të reaguar në raste të tilla sipas legjislacionit në fuqi.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka dërguar zyrtarët përgjegjës dhe ka angazhuar edhe Inspektoratin e Arsimit për t’i përcjellë nga afër pretendimet e deklaruara për çka do të përgatitet një raport i detajuar dhe do të ndërmerren të gjitha masat dhe veprimet konform legjislacionit në fuqi.

Ashtu si në të gjitha Komunat e Kosovës edhe në Mitrovicë, procesi i furnizimit me tekste shkollore për klasat 1-5 është duke u permbyllur me sukses. Nuk kemi pranuar asnjë raport nga Drejtoritë Komunale për probleme me furnizim me tekste shkollore.

Ashtu siç tashmë jeni njoftuar, klasat 6-9 do të shfytëzojnë tekstet e vitit të kaluar ndërsa, do të subvencionohen për herë të parë për materiale shkollore. Më datë 26 maj 2023 kemi përcjellë tek të gjitha DKA-të, përfshirë DKA-në në Mitrovicë, njoftimin në lidhje me vendimin e mësipërm, dhe kemi kërkuar prej tyre që të ruajnë tekstet e vitit të kaluar, dhe të njëjtat t’i përcjellin tek nxënësit e vitit aktual. Më datë 25 gusht 2023 e kemi ridërguar këtë njoftim dhe nuk kemi marrë informatë për mungesë të teksteve për klasat 6-9, për tekste të dëmtuara që nuk mund të përdoren më, apo ndonjë kërkesë për tekste shtesë.

Edhe pse platforma për aplikim për tekste dhe materiale shkollore do të jetë e hapur deri në fund të muajit shtator, furnizimi me tekste shkollore këtë vit po realizohet më shpejt sesa me praktikat e deritanishme. Për këtë, i falenderojmë për angazhim të gjithë prindërit, mësimdhënësit, puntorët e arsimit dhe institucionet përgjegjëse komunale që po vazhdojnë të ndihmojnë në përmbylljen e këtij procesi të furnzimit me tekste shkollore për të gjithë nxënësit.

DTV

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.