Gjatë ditës së sotme është bastisur shtëpia e ish ushtarit të UÇK-së nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e EULEX-it në lagjen “Kodra e Trimave”, në Prishtinë.
Nga zyra për informimin të EULEX-it për Telegrafin kanë thënë se nuk kanë mandat për të ndërmarr veprime të bastisjeve.
Por sipas tyre, mandati i EULEX-it është i kufizuar vetëm në ofrimin e mbështetjes logjistike dhe operacionale për autoritetet përkatëse gjyqësore dhe hetimore.
“Prej vitit 2018, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) nuk ka mandat për të ndërmarrë veprime që ndërlidhen me procedura gjyqësore si kryerjen e arrestimeve, bastisjeve, konfiskimeve, marrjes në pyetje apo të ndalimin e personave.
Në kuadër të kufizimeve të mandatit aktual të tij për mbështetjen e institucioneve të caktuara të sundimit të ligjit në Kosovë në rrugën e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumë-etnicitetit dhe llogaridhënies, të lira nga ndërhyrjet politike dhe në pajtim me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe praktikat evropiane më të mira, për sa i përket këtyre procedurave, mandati i EULEX-it është i kufizuar vetëm në ofrimin e mbështetjes logjistike dhe operacionale për autoritetet përkatëse gjyqësore dhe hetimore”, thuhet në përgjigjen nga zyra për informim të EULEX-it.
Ndërkaq, përmes fotografive që ka siguruar Telegrafi shihen zyrtarë të Policisë së Kosovës para një shtëpie në lagjen “Kodra e Trimave”, në Prishtinë.
Policia e Kosovës jashtë këtij objekti ka vendosur edhe shiritin e sigurisë në dy anët e rrugës.
Basisja është kryer në shtëpinë e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Behar Berishës.
Berisha ka qenë bashkëluftëtar i Sali Mustafës – Calit.
Gjithashtu, ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL e UÇK-së, Faton Klinaku ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë dhe EULEX-i janë duke i shqetësuar familjet e ish-luftëtarëve të UÇK-së.
Klinaku ka shkruar se duke pasur parasysh këtë, ne thërrasim protestë kundër ZPS-së dhe EULEX-it, te selia e tyre në Fushë Kosovë, nesër me datë 15 shtator 2023, ora 12:00.
Ndryshe, EULEX me urdhër të Dhomave të Specializuara ka sekuestruar telefonat personal të ish-komandantit të Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remit, ish-të burgosurit politik, Nait Hasanit, vëllait të luftëtarit të UÇK-së, Sali Mustafës, si dhe ka bastisur shtëpinë e heronjve Fahri e Bahri Fazliu.