Sipas analistit Ylli Hoxha, suksesi i proklamuar në Ohër, që parashikohej të ishte madhështor, tashmë është vlerësuar si një dështim i madh. Ai ka argumentuar se lufta në Ukrainë dhe tensionet me Rusinë kanë ndikuar në ndryshimin e orientimit të Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve në një qëndrim më të ashpër ndaj Rusisë, dhe kjo situatë nuk është shfrytëzuar nga Kosova.
Analisti Ylli Hoxha në RTV Dukagjini ka thënë se suksesi madhështor i proklamuar në Ohër, doli të jetë një dështim i madh.
“Ajo që ka ndodhë dy vitet e fundit, ishte lufta në Ukrainë apo invazioni rus në Ukrainë i cili e acaroi perëndimin me Rusinë dhe e homogjenizojë Bashkimin Evropian me ShBA-në në një posturë shumë më agresive ndaj Rusisë, është pritur që do të jetë më i favorshëm për ne dhe tash ky proces dy vjet mbas po na tregon që këtë situatë shumë më mirë e ka shfrytëzuar Serbia se sa ne. Në fakt Serbia ka luajtur shumë më mençur brenda këtij kontekstit të ri gjeopolitik”, ka thënë Ylli Hoxha.
Më tej ai ka potencuar se “plani franko-gjerman ishte plan serioz nëse merret si tërësi, arriti për shumë pak kohë të degradojë në fazën e vet të implementimit dhe sot më mirë se kurrë e kemi kuptuar në bazë të këtyre dokumenteve dhe paraqitjeve të zotit Kurti kemi mundur me deshifrua që në fakt ky dështim ka ndodhur qysh në marrëveshjen e Ohrit. Ajo që u proklamua nga BE-ja si sukses i madh në Ohër, në fakt ishte dështim i madh. Dështimi dhe degradimi i një plani që në fakt ishte serioz, degradoj në Ohër në përmasa të mëdha dhe kaluan 6 muaj ku palët janë munduar të kamuflojnë këtë dështim duke paraqitu si një farë gjase për sukses duke mbuluar marrën”.