Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka bërë të ditur se me ndihmën e homologut të tij nga Shqipëria, Armand Duka, do të bëjë ankesën në UEFA lidhur me ndeshjen kundër Rumanisë.
Në një postim në rrjetin e tij social, Ademi është shfaqur së bashku me Armand Dukën nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe Muhamed Sejdini nga Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut.
“06.30h: E filluam ditën së bashku!”, ka shkruar i pari i Federatës në fotografinë e përbashkët në Instagram.
Ai ka bërë të ditur se në lidhje me incidentin e ndodhur në Bukuresht, ka kërkuar edhe ndihmën e Dukës i cili aktualisht është anëtarë i KE në UEFA dhe do të adresojë ankesën e FFK-së.
“Rreth rastit të ndodhur në Rumani sot paraqita ankesë edhe të presidenti Armand Duka, i cili në cilësi të anëtarit të KE të UEFA-s është mbikqyrës dhe e mbulon edhe Kosovën. Ai si i deleguar i regjionit do ta adresojë ankesën tonë në mbledhjen e radhës të KE të UEFA-s”, shkroi Ademi.
Kujtojmë se disa ditë më parë, kreu i FFK-së deklaroi se nuk është në rregull që lojtarët e Kosovës të ftohen nga Kombëtarja e Shqipërisë.
“Ne kemi pasur dhe kemi mirëkuptim me Federatën Shqiptare, por mendoj se kjo nuk është në rregull të ftohen lojtarët që janë pjesë e Kombëtares sonë. Dellova ka qenë pjesë e Kosovës dhe është e papranueshme që ai të ftohet nga dikush tjetër”, kishte thënë Ademi.