“Protesta vështirësoi mundësitë për lehtësim të akuzuarve”/ Priten arrestimet tjera

Organizata e Veteranëve të Luftës ka protestuar dje para zyrave të EULEX-it për të kundërshtuar bastisjet e fundit ndaj ish- luftëtarëve të UÇK-së.

Protesta e cila ka zgjatur pothuajse 10 minuta, ka përfunduar me hedhjen e telefonave të protestuesve para zyrës së EULEX-it, në shenjë pakënaqësie ndaj bastisjeve të fundit që po bën EULEX-i, i cili ka konfiskuar disa telefona.

Kryetari i OVL-së së UÇK-së Faton Klinaku tha se dhomat e specializuara po gjykojnë vetëm shqiptaret dhe UÇK në dhe jo krimet e kryera në Kosovë.

Ndërsa kërkoi që shteti të merret seriozisht me këtë çështje, e të mos lejojë që njerëz civil e me kapele, t’u hyjnë në shtëpi.

“Jemi dëshmitarë që Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë dhe EULEX janë duke i shqetësuar familjet e bashkëluftëtarëve tanë dhe familjet e dëshmorëve. Duke dërguar pa paralajmërim njerëz të panjohur e me kapela në kokë, gjoja intervistime, duke i bastisur e konfiskuar telefonat e tyre personal. Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë në mungesë të fakteve, vazhdojnë me filmat e tyre. Kjo gjë po bëhet në shtetin tonë, si dikur në kohen e pushtuesit. E institucionet tona vetëm po heshtin. Meqenëse po na hyjnë dhe në shtëpi duke na shqetësuar familjet, ne e thirrem këtë protestë kundër Zyrës së prokurorit të specializuar dhe EULEX -it duke pasur parasysh që k është reagues I parë. Kërkojmë që shteti të merret seriozisht me këtë dhe të mos lejojë që persona civil qofshin ata të ZPS së apo EULEX-it pa policinë e Kosovës të na hyjnë dhe në shtëpi. Përndryshe do të ketë reagime të vazhdueshme qytetare. Pavarësisht se ne si kemi njohur dhomat e specializuar asnjëherë se kemi penguar drejtësisë”, tha ai.

Klinaku ndër të tjera pohoi se nëse EULEX do që t’ua marr telefonat, atë duhet ta bëjnë përmes kërkesës drejtuar policisë së Kosovës, e jo në këtë mënyrë.

“Telefoni është i imi po këta se marrin. Këtu është Policia e Kosovës, jemi shtet nëse këta kanë nevojë për telefonat tonë, policia janë. Ne flasim në telefona ata vazhdimisht po na përgjojnë. S’kanë nevojë të na konfiskojnë telefonat sikur hajna e kriminel. Ne kemi menduar që tu japin telefona nëse iu duhen. T’i marin nëse iu duhen”, u shpreh ai.

Duke komentuar protestën e veteranëve, analisti politik Faton Mehmeti, thotë se ata ndikojnë te gjykata që të arrestuarve mos t’u jepet mbrojtje në liri.

Ai shton se këta veteran nuk kanë pasur guxim të bëjnë protesta kur është dashur, por janë vendosur nën shërbim të Thaçit.

“Me protestat e tyre veteranët vetëm sa ndikojnë tek gjykata që të arrestuarve mos t’u jepet mbrojtje në liri, me pak fjalë u vështirësohet mundësia për të përfituar ndonjë lehtësi në këtë drejtim. Diçka tjetër nuk ka dhe s’mund të ketë nga kjo protestë dhe ndonjë protestë tjetër, me veteranët që nuk kanë pasur guxim të bëjnë protesta kur është dashur, por u vënë nën shërbim të Hashimit. Tani është vonë për çdo gjë, Gjykata Speciale do të vazhdojë punën edhe me arrestimet tjera të pritshme”, deklaron Mehmeti.

EULEX gjatë javës me urdhër të Gjykatës ka bastisur shtëpinë e heronjve Fahri e Bahri Fazliu, shtëpinë e ish- luftëtarit të UÇK-së, Behar Berishës, ndërkaq u ka sekuestruar telefonat personalë ish-komandantit të Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remit, ish-të burgosurit politik, Nait Hasanit, vëllait të luftëtarit të UÇK-së, Sali Mustafës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.