/

Konjufca takon një delegacion norvegjez, kërkon anëtarësim në KiE

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim një delegacion të Norvegjisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), në përbërje Ingjerd Schou, Lise Christoffersen, Lisa Marie Klungland, Andreas Sjalg Unneland, Anita Helland Kjus dhe Eric Christensen.

Gjatë këtij takimi është biseduar për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Norvegjisë, me fokus vazhdimin e mbështetjes së shtetit norvegjez ndaj Kosovës në rrugën integruese euroatlantike.

Njëherësh u shkëmbyen pikëpamje edhe përkitazi me zhvillimet aktuale politike në vend dhe rajon, si dhe çështje të tjera me interes të përbashkët.

“Kryetari Konjufca e njoftoi delegacionin norvegjez në APKE lidhur me punët e deritashme, sfidat dhe të arriturat e kësaj legjislature. Gjithashtu i informoi në lidhje me hapat që Republika e Kosovës ka ndërmarrë për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Kryetari i Kuvendit theksoi se Kosova është e gatshme t’i bashkohet Këshillit të Evropës, meqë i ka plotësuar të gjitha kriteret, duke bërë progres në të gjitha fushat, përfshirë sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut, si dhe ndërtimin e shtetit me standarde të larta demokratike.

Anëtarët e delegacionit norvegjez në APKE, pasi e falënderuan Kryetarin e Kuvendit për pritjen, ofruan mbështetje për anëtarësim të Republikës së Kosovës në KiE dhe shprehën gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë”, thuhet në komunikatë.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në këtë organizatë më 12 maj 2022. Ndërsa më 24 prill 2023, Komiteti i Ministrave me më shumë së 2/3 e votave ka votuar në favor të procedimit tutje të kërkesës për anëtarësim në KiE.

Leave a Reply

Your email address will not be published.