Në Gjykatën Speciale në rastin ndaj Pjetër Shalës ka dhënë dëshminë e tij Bardhyl Mahmuti, një ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në cilësinë e dëshmitarit.
Nga ana e kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Mappie Veldt-Foglia është dhënë një udhëzim për dëshmitarin Mahmuti në sesion privat.
Seanca po vazhdon në sesion publik, ku mbrojtja synon që për tri orë ta përfundojë marrjen e tij në pyetje.
Paraprakisht, gjykatësja Mappie Veldt-Foglia ka dhënë disa urdhra dhe udhëzime për vazhdimin e procedurës në këtë çështje.
Ajo ka urdhëruar mbrojtjen që të shkurtojë kohëzgjatjen për marrjen në pyetje të disa dëshmitarëve, duke i lejuar kështu mbrojtjes 31.5 orë për marrjen në pyetje të dëshmitarëve.
Po ashtu, ka kërkuar që të përcaktohen datat e sakta për dëshmitarët, si dhe të paraqiten me kohë kërkesat për video-konferenca nëse është e nevojshme.
Më tej, trupi gjykues ka pranuar kërkesën e mbrojtjes për shtimin e shtatë materialeve në listën e provave, por në anën tjetër ka refuzuar përdorimin e dy materialeve për dëshmitarin e sotëm me arsyetimin se nuk është vërtetuar lidhja e tyre me akuzat ndaj Shalës.
Por, është lejuar përdorimi i disa materialeve rishtazi për këtë dëshmitar, me arsyetimin se janë nxjerrë në kohën e duhur dhe se mbrojtësi i viktimave dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë pasur kohë të mjaftueshme për t’i lexuar.
Gjykatësja Veld-Foglia ka kërkuar që mbrojtja të japë emrin e ekspertit të tyre deri në fund të këtij muaji, ndërkaq ka kërkuar që deri më 11 tetor të paraqesin pyetjet me shkrim për ekspertin e mbrojtësit të viktimave.
Disa çështje janë diskutuar edhe në sesion privat.