Emisari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i ka dalë në mbrojtje kolegut të tij europian, Miroslav Lajçak, pas akuzave të kryeministrit Albin Kurti për njëanshmëri në dialogun Kosovë-Serbi.
“Gjatë javës së fundit jam alarmuar nga sulmet personale ndaj Lajçakut që ekzistojnë në sferën shoqërore të Kosovës. I kërkova Presidentes Osmani dhe Kryeministrit Kurti që t’i dënojnë këto sulme. Nuk po them se vijnë nga qeveria e Kosovës, por qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e qartë”, ka thënë Escobar.
Duke komentuar deklaratat e Kurtit për Lajçakun, ai ka thënë se emisari europian gëzon besimin e plotë të Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara.
“Të gjitha vendet e BE-së bënë një deklaratë të përbashkët pas dështimit të bisedimeve, me mbështetje për Lajçakun. Është diçka me të cilën duhet të përballen. Lajçaku nuk do të largohet. Dialogu nuk do të largohet. Dhe nuk mendoj se një vend prej një milion e gjysmë do ta bindë komunitetin transatlantik prej 700 milionësh që të ndryshojë taktikat e tij. Mendoj se duhet të ketë një përqasje më pragmatike nga Qeveria e Kosovës”.