Organizata joqeveritare “Youth Initiative for Human Rights Kosovo (YIHR) KS”, ka mbajtur këtë protestë pas vdekjes së një 22-vjeçarje në Iran, për shkak të mosmbajtjes së duhur të shamisë.
Dhjetëra persona janë mbledhur sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, me qëllim të solidarizimit me gratë në Iran.
Aktivistet kanë prerë edhe flokët në shenjë solidarizimi me rastin e 22-vjeçares Mahsa Amini, e cila ishte arrestuar nga e ashtuquajtura policia e moralit, pasi nuk kishte vendosur në mënyrë të duhur shaminë e saj në përputhje me rregullat e atjeshme.
Vdekja e Aminit ka zemëruar shumë iranianë, veçanërisht të rinjtë, të cilët e shohin këtë ngjarje si aktin më të fundit të një politike të ashpër të Republikës Islamike ndaj disidentëve dhe trajtimit gjithnjë e më të dhunshëm ndaj grave të reja nga policia mbikëqyrëse e moralit.