Presidenti shqiptar, Bajram Begaj, qëndrimin e tij në New York, ku po mbahet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, e ka shfrytëzuar për të kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shtetet mosnjohëse.
Siç ka njoftuar Presidenti Begaj, ai ka zhvilluar takime me homologët e tij nga shteti i Botsvanës, Kenisë dhe Sudanit të Jugut. Në fokus, tha se ka qenë lobimi për njohjen e Kosovës shtet të pavarur, shkruan Reporteri.net.
“Në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të OKB-së, u takova me homologët e mi nga Botsvana, Kenia dhe Sudani i Jugut. Teksa nxitja e marrëdhënieve të mira dypalëshe është e rëndësishme, fokusi im kryesor ishte njohja zyrtare e Republikës së Kosovës nga këto shtete”, ka shkruar ai, në Facebook.