Dje gjatë gjithë ditës, grupi terrorist me serb të armatosur deri në dhembë ka shtënë me armë në drejtim të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në veri.
Përveç dëmeve materiale në blinda të policisë, nuk pati viktima tjera ndërsa në anën e sulmuesve raportohet se janë vrarë tre sulmues dhe janë arrestuar gjashtë të tjerë.
Policia e Kosovës ka gjetur dhe konfiskuar rreth 20 automjete të grupit terrorist të cilat ishin të ngarkuara me armë të kalibrit të ndryshëm.
Prokuroria Speciale mbrëmë raportoi se gjashtë personat e ndaluar po ngarkohen për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ nga neni 126 lidhur me ‘’Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës’’ nga neni 114, ‘’Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ nga neni 138 lidhur me nenin 129 dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së.
PSRK, thekson se hetimet nga vendi i ngjarjes po vazhdojnë në bashkëpunim dhe koordinim me të gjitha institucionet relevante përgjegjëse.