“Vendi ynë ka shënuar progres në shumë fusha përkundër krizave globale, që nga pandemia te kriza energjetike. Raporti përgëzon Kosovën për qëndrueshmërinë politike. Stabiliteti është kusht për reforma afatgjate. Prandaj edhe këtë vit janë ndërmarrë reforma që kanë qenë kërkesa të Bashkimit Evropian që një kohë të gjatë, por që nuk janë realizuar nga qeveritë paraprake”.
Në një konferencë për media bashkë me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog, kryeministri Albin Kurti ka thënë se ky është raporti i plotë që përfshinë qeverisjen njëvjeçare të LVV-së. Komisioni Evropian ka publikuar Raportin për Kosovën, për vitin 2022.
Kurti ka përmendur si reforma të suksesshme, ligjin për partitë politike, ligjin e ushqimit e tjera.
Ai ka përmendur aksionet policore në luftën kundër krimit dhe narkotikëve.
“Lufta kundër korrupsionit dhe qeverisje e mirë pa skandale e kanë ngritur Kosovën në indekset ndërkombëtare”.
Ndryshe, Komisioni Evropian në raportin e sotëm të progresit, përsëritet qëndrimin i mëparshëm, se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, ndërsa kërkohet që Këshilli i BE-së të merret me urgjencë me këtë çështje.
Komisioni Evropian miraton çdo vit paketën e zgjerimit dhe raportet e progresit për secilin nga vendet e përfshira në këtë proces.
Vendet e Ballkanit Perëndimor ndodhen në faza të ndryshme në procesin e zgjerimit.
Bosnje e Hercegovina ka aplikuar për anëtarësim në BE, por akoma nuk ka marrë mendim pozitiv nga Komisioni Evropian për dhënien e statusit të vendit kandidat.
Kosova është i vetmi vend i rajonit të Ballkanit Perëndimor, i cili nuk ka aplikuar ende për anëtarësim në BE.