“Që kur se kanë ardhur në pushtet, eksponentë të lidhur direkt ose indirekt me VV-në dhe Guxo, shajnë, denigrojnë, fyejnë, sulmojnë online secilin gazetar e gazetare e besa edhe aktivist e aktiviste që raporton ngecje në qeverisje apo kritikon këdo në pushtet”, shkroi sot Kusari.
Juriste e medias, Flutura Kusari, thotë se kritika më e ashpër e raportit të Bashkimit Evropian për Kosovën, ka të bëjë me denigrimet që iu bëhen gazetarëve. Për këtë, shkruan ajo, përgjegjëse është Lëvizja Vetëvendosje dhe burri i Presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriu.
Komisoni Evropian ka publikuar sot raportin sivjetshëm për Kosovën. Sipas Kusarit, shqetësimet më serioze të ngritura në këtë raport është gjuha e përdorur ndaj gazetarëve.
Ekspertja e medias thotë se përgjegjëse për klimën e krijuar për gazetarët është përgjegjës pushteti i tanishëm.
Shkrimi i plotë dhe pa ndërhyrje i Kusarit:
Shqetësimi më serioz dhe kritika më e ashpër e këtij raporti ka të bëjë me denigrimet publike që po iu bëhen gazetarëve.
Raporti citon, me të drejtë, vlerësimin e AGK-së, sipas së cilës ka pasur rritje të deklaratave poshtëruese/nënçmuese dhe denigruese nga politikanët (dhe biznismenët) drejtuar mediave, të cilat minojnë besimin në gazetari dhe sigurinë e gazetarëve.
Për këtë kritikë kaq serioze, përgjegjësinë e mban Lëvizja Vetëvendosje dhe sigurisht Prindon Sadriu.
Që kur se kanë ardhur në pushtet, eksponentë të lidhur direkt ose indirekt me VV-në dhe Guxo, shajnë, denigrojnë, fyejnë, sulmojnë online secilin gazetar e gazetare e besa edhe aktivist e aktiviste që raporton ngecje në qeverisje apo kritikon këdo në pushtet.
A bëjnë shkelje etike dhe ligjore mediat? Po!
Mirëpo, shkeljet duhet të adresohen në KPM, KMSHK dhe gjykatë, e jo në luftë publike me gazetarë.
Politikanët dhe njerëzit në pushtet nuk kanë të drejtë të vlerësojnë mediat, ata mund të bëjnë politika për të përmirësuar sistemin medial dhe aty përfundon misioni i tyre.
Ndërsa mediat kanë të drejtë t’i vlersojnë gazetarët. Nëse politikanët kanë dëshirë të bëjnë vlerësime, mund të fillojnë të punojnë si gazetarë.
Për këtë qasje ndaj gazetarëve, faturën do ta paguajnë njerëzit në pushtet.