“Organizatore e terrorit”, Kelmendi “shpërthen” ndaj Listës serbe, përmend arsyet se është parti kriminele dhe anti ligjore

Vrasja e policit nga Kosova dhe sulmi terrorist në veri të Kosovës, ka sjellë reagimin e Listës serbe të nesërmen.

Ata kanë ngushëlluar për policin shqiptar të vrarë në veri si dhe familjarët e serbëve, por si zakonisht kanë vazhduar me pretendime të çuditshme duke fajësuar kryeministrin Kurti se po ushtron presion mbi serbët e Kosovës.

“Prej më shumë se një viti ne paralajmërojmë se regjimi në Prishtinë po ushtron presion mbi serbët dhe çdo ditë po përshkallëzon situatën dhe po provokon reagimin e popullit. Të panumërta kërkuam nga KFOR-i që të ngrejë forcat e veta dhe të veprojë në mënyrë parandaluese, kërkuam nga bashkësia ndërkombëtare që ta frenonte Kurtin, gjithmonë bënim thirrje për paqe… por më kot. Fatkeqësisht, ndodhi ajo që dëshiroi Kurti”, thuhet në fund.

Por, Listës serbe nuk i ka zgjatur shumë propaganda, kjo pasi autoritetet në Prishtinë të martën kanë thënë se një nga pjesëtarët e grupit të armatosur që sulmoi policinë e Kosovës të dielën në veri, është nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiç.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, publikoi pamje nga droni ku shihet një grup personash të armatosur rëndë teksa qëndrojnë në një pjesë të ndërtesave të manastirit ortodoks në fshatin Banjskë në veri të Kosovës. Në pamje theksohet se një nga ta është Milan Radojçiç, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar.

“Kryekrimineli Radojçiç ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve”, shkroi në rrjetin Facebook ministri Sveçla.

Pohimet e tilla nuk i kanë komentuar as Lista serbe dhe as vetë nënkryetari i saj, Milan Radojçiq, ndërsa juristi Muhamet Kelmendi thotë se ajo i ka përmbushur elementet e veprës penale në Kosovë.

Kelmendi në një prononcim, ka përmendur arsyet pse kjo parti është kriminale dhe anti ligjore.

““Lista Serbe” dhe kriminelët e saj i kanë përmbushur elementet e veprës penale në Kosovë! Vetë formimi i i Listës Serbe është një akt kriminal dhe ka qenë e pritshme që do të veprojë kundër shtetit të Kosovës. Ky subjekt është formuar nga krimineli i luftës A. Vuçiq dhe vepron nën udhëheqjen dhe kryen punë në bazë të urdhrave të Beogradit. “Lista Serbe” nga formimi ka kryer pune kriminale dhe antiligjore. Veprimet e këtij organizimi kriminal janë: 1. Mos njohja dhe refuzimi kategorik, qoftë edhe me forcë, i shtetit të pavarur të Kosovës. 2. Kryerja e veprimeve kriminale dhe të dënueshme me Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, deklaron Kelmendi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.