/

Situata në veri/ Krasniqi u takua me presidenten Osmani dhe drejtorin e AKI-së, jep detaje

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka takuar sot Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu dhe Drejtorin e AKI-së, Petrit Ajeti. Gjatë këtij takimi, Krasniqi i ka ofruar mbështetjen e plotë të gjitha institucioneve të sigurisë.

Kryetari Krasniqi ka thënë se për të dhe PDK-në, është krejtësisht e qartë se organizimi dhe orkestrimi i sulmit terrorist mbi  Kosovën adresën kryesore e ka në Beograd. Prandaj, sipas tij, aleatët ndërkombëtarë duhet t’i bëjnë presion Serbisë që t’i dorëzojë terroristët që i ka strehuar.

Ky takim vjen pas sulmit terrorist në veri të Kosovës, ku u vra polici, Afrim Bunjaku.

Lexoni postimin e plotë të Kryetarit Krasniqi:

Në kuadër të një jave tejet sfiduese për Kosovën, sot i jam përgjigjur pozitivisht ftesës për takim nga Presidentja Osmani-Sadriu. Gjatë këtij takimi, ku i pranishëm ishte edhe Drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti, u informova në lidhje me gjendjen e sigurisë në vend dhe veprimet e të gjitha institucioneve për të garantuar siguri e mbrojtje për qytetarët dhe shtetin tonë.

Edhe një herë, shpreha mbështetjen dhe mirënjohjen më të thellë për të gjitha institucionet e sigurisë, posaçërisht për Policinë e Kosovës, e cila, në 24 vitet e ekzistencës së saj, nuk ka rreshtur së na bëri krenarë me profesionializimin e dëshmuar vit pas viti në shërbim të vendit. Heroi Afrim Bunjaku është shembulli i fundit i kësaj atdhedashurie.

Për mua dhe PDK-në, është krejtësisht e qartë se organizimi dhe orkestrimi i sulmit terrorist mbi Republikën e Kosovës adresën kryesore e ka në Beograd. Konfirmimi i përfshirjes së Milan Radojçiqit në këtë aksion, armatimi i sofistikuar dhe i shumtë i terroristëve, strehimi i tyre në Serbi pas sulmit dhe lartësimi i tyre si heronjë nga institucionet zyrtare të Beogradit, përfshirë shpalljen e ditës së sotme si ditë zie për ta – tregojnë për lidhjen e fortë të këtij grupi terrorist me shtetin e Serbisë.

Prandaj, në periudha sfiduese si kjo, kur është cënuar integriteti territorial, sovraniteti i shtetit tonë dhe siguria e qytetarëve tanë, për PDK-në, siç ka qenë gjithmonë, interesi nacional i vendit është dhe do të mbetet mbi të gjitha. Si PDK, i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë të gjitha institucioneve të sigurisë në përballje me këtë situatë.

Sot, përveç tjerash, i bëjmë thirrje edhe aleatëve tanë ndërkombëtarë që të rrisin presionin ndaj Serbisë për t’i dorëzuar tek autoritetet kosovare, terroristët të cilët Serbia i ka marrë në mbrojtje.

Veprimet e tyre nuk mund të mbeten pa u ndëshkuar dhe drejtësia duhet të triumfojë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.