Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, po heton përfshirjen e Beogradit në njësinë paraushtarake dhe po përpiqet të zbulojë misionin e tij në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku terroristët serbë vranë rreshterin policor Afrim Bunjaku.
E nëse zbulohet se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ka qenë i përfshirë, atëherë, sipas The Guardian, do të ndryshojë qasja e ndërmarrë nga ShBA-ja dhe BE-ja ndaj negociatave.
Madje, kjo mund të çojë edhe në sanksione ndaj Serbisë..
“SHBA-ja ka mbështetur bisedimet dhe deri më tani ka mbajtur anën e Evropës për vënien e fajit më të madh për dështimin e tyre kryeministrit kosovar, Albin Kurti. Por administrata Biden po heton përfshirjen e Beogradit në njësinë paraushtarake dhe po përpiqet të zbulojë misionin e saj. Nëse Vuçiq zbulohet se ka qenë i përfshirë, kjo mund të ndryshojë qasjen e ndërmarrë nga SHBA dhe BE ndaj negociatave, të cilat janë kritikuar nga ligjvënësit në të dy anët e Atlantikut si të njëanshëm ndaj Beogradit. Kjo gjithashtu mund të çojë në sanksione ndaj Serbisë”, shkruan The Guardian.
Se ka pasur një skenar për të provokuar një konflikt që do të çonte në ndarjen e Kosovës ka thënë kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko.
“Është gjithnjë e më e qartë se ka pasur një skenar për të provokuar një konflikt në mënyrë që ushtria serbe pastaj të hyjë për të mbrojtur popullin serb në veri dhe kështu të zbatojë ndarjen e Kosovës”, ka thënë Biserko.
Sipas saj, ky sulm ka tejkaluar kufijtë e asaj që Perëndimi mund të tolerojë.
“Ky operacion, pavarësisht se kush është drejtpërdrejt përgjegjës për të në Beograd, ka kaluar një vijë të kuqe që perëndimi nuk mund ta tolerojë. Kjo situatë nuk është provokuar nga Kurti, siç komentojnë shumica në Beograd. Përkundrazi, ai tregoi pjekuri dhe policia e Kosovës tregoi profesionalizëm”, ka thënë ajo.
DTV