Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha të premten në Beograd se ka zhvilluar një bisedë telefonike me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, nga i cili është paralajmëruar për masa ndëshkuese ndaj Serbisë “nëse nuk sillet siç duhet”, shkruan Zëri Amerikës.
Presidenti serb u tha gazetarëve në Beograd se gjatë bisedës që e përshkroi si “jo të lehtë”, të dy janë pajtuar se është i nevojshëm “shtensionimi dhe shtimi i rolit të KFOR-it” që sipas tij mbështetet nga Serbia. Ai tha se i ka mohuar zërat se Serbia ka vënë ushtrinë në gjendje gatishmërie.
Vuçiq tha se me sekretarin Blinken nuk është pajtuar për natyrën e ngjarjeve në Kosovë dhe posaçërisht me “sovranitetin e Kosovës”.
Ai tha se sekretari amerikan foli edhe për “masat e mundshme ndaj Serbisë, nëse nuk sillemi në mënyrën e duhur”.
“Ju jeni një vend i madh, një superfuqi, u takon juve të bëni atë që mendoni se duhet. Unë jam plotësisht kundër kësaj dhe mendoj se është shumë keq, por ka gjëra që duhet t’u përmbahemi, dhe kjo është para së gjithash e vërteta”, tha ai, por pa dhënë më shumë hollësi.
Rreshteri i policisë së Kosovës u vra të dielën në fshatin Banjskë në veri të vendit në një sulm të një grupi të armatosur serb të drejtuar nga Milan Radoiçiç, nënkryetar i deritashmë i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës të mbështetur nga Brogradi.
Gjatë përleshjeve që pasuan vrasjen e oficerit të policisë, tre sulmues mbetën po ashtu të vrarë në incidentin më të rëndë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Prishtina akuzoi Beogradin për organizim dhe mbështetje të sulmit. Presisentja e Kosovës Vjosa Osmani e cila takoi të premten ambasadorët e vendeve krysore perëndimore në Prishtinë, kërkoi që bashkësia ndërkombëtare t’i kërkojë përgjegjësi Serbisë për veprimet e saj kundër Kosovës, “duke ia bërë të qartë se duhet të ndalojë financimin, mbështetjen dhe shtytjen e grupeve kriminale për veprime terroriste”.
Mungesa e masave, tha ajo, “mund të keqpërdoret nga ana e Serbisë dhe për rrjedhojë mund të kemi përsëritje të veprimeve terroriste”.