“Duhem me sqaruar këtu, se në tregun e brendshëm të Kosovës nuk ka palë që operon pa licencë. Në tregun e brendshëm të Kosovës nuk ka palë që operon pa licencë. Kjo ka ndodhë edhe më parë dhe tash. Ju po flisni për tregtim ndërkufitar, por ne kemi vepruar sipas interpretimit juridik që ka qenë në atë kohë, dhe pas ndërmarrjes së interpretimit juridik, ne kemi ndërprerë këtë aktivitet”.
Në Kosovë të gjitha kompanitë për tregtimin e energjisë elektrike janë të licencuara, përveç në veri të vendit ku ende ka operatorë që veprojnë ilegalisht.
Kështu tha gjatë dëshmisë së tij në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës, ish-ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të kompanisë publike KOSTT, Kadri Kadriu.
Ai fillimisht theksoi se kompanitë për tregtimin e energjisë elektrike që operojnë brenda Kosovës, veprojnë sipas rregullativës institucionale e shtetërore.
“Është më rëndësi të theksohet se parimi ose fryma e ligjit të Kosovës është i bazuar në direktivat e BE-së. Këto direktiva e njohin licencën e palëve në cilin do vend të komitetit të energjisë”, deklaroi Kadriu.
Por, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj tha se ka informacione që ka kompani në Kosovë të cilat operojnë ilegalisht. Për këtë ai kërkoi përgjigje nga Kadriu.
“Kemi informacione që ka operatorë në Kosovë që operojnë ilegalisht, janë dy-tre brenda Kosovës”, tha Lekaj.
Pas kësaj, Kadriu pranoi se brenda territorit të Kosovës, vetëm në veri ka operatorë ilegalë.
“Brenda në Kosovë, nuk besoj që ka, krejt operatorët janë të licencuar. Në tregun e brendshëm të Kosovës nuk ka operator, përveç, e dimë operatorët ilegalë ku janë, në veri, ata janë tjetër muhabet. Aty…”, u shpreh ai.
Ndërsa, kryetari i komisionit, Driton Selmanaj pyeti Kadriun se a ka të drejtë KESCO të ndalojë importin e energjisë për shkak të çmimit të lartë.
“Në statusin e furnizuesit universal, të cilin e ka KEDS dhe KESCO, a kanë të drejtë ata që të veprojnë në mënyrë jo të mirë në kuptimin, që ta njoftojnë KOSTT-in, dhe të thonë, kështu: ‘Ne prej nesër nuk importojmë energji më, çmimi është shtrenjtë jashtë, krejt furnizimin kemi me bërë në bazë të kapaciteteve vendore gjeneruese’. Pra, a kanë të drejtë ta bëjnë këtë në bazë të kontratës dhe licencës që ata kanë?”, pyeti Selmanaj.
Për këtë ish-kryeshefi i KOSTT-, Kadriu tha se pikërisht për shkak të çmimit të lartë që nuk ka importuar KESCO rrymë, janë shkaktuar devijimet.
Kadriu tha se kjo është përgjegjësi e ZRRE-së sa i përket mos importit të rrymës për shkak të çmimit të lartë nga KESCO.
“Më shumë kjo i përket Zyrës së Rregullatorit, mendoj se çka do të flas unë, mundem me dhënë informacione që s’janë adekuate. Është e vërtetë se kjo na shkakton telashe operative. Por, në aspektin e të drejtave dhe detyrimeve, ndoshta është më mirë me pyet ZRRE-në, sepse ata kanë obligim t’i monitorojnë shkeljet e palëve ndaj licencave. Gjatë muajit dhjetor ata (KESCO) kanë informuar që për shkak të aspekteve financiare nuk kanë me mundur të importojnë krejt energjinë. Dhe, devijimi ka ndodhur për shkak se nuk e kanë importuar krejt energjinë”, theksoi Kadriu.
Rritja e konsumit ka qenë mbi 10 për qind në dimrin e kaluar, derisa tha se kanë bërë maksimumin e mundshëm që këtë krizë energjetike ta menaxhojnë sa më mirë dhe teknikisht të mos shkaktohen probleme në sistem.