Deklarata për Roaming BE-Ballkani Perëndimor, e nënshkruar në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë më 6 dhjetor 2022, ka hyrë zyrtarisht në fuqi, duke shënuar kështu datën e një ndryshim të madh.
Duke nisur nga ky tetor, kufiri i çmimit për 1 GB roaming i të dhënave në kuadër të ofertave dhe paketave speciale, në përputhje me Deklaratën e Roaming, nuk duhet t’i kalojë 18 euro, duke e bërë kështu udhëtimin dhe komunikimin mes BE-së dhe BP-së dukshëm më ekonomik. Në shumë raste, kufiri i çmimit prej 18 euro brenda ofertave dhe paketave speciale shkon edhe shumë më i ulët, deri në 1.6 euro për 1 GB, ndërsa tre operatorë të Ballkanit Perëndimor, krahas çmimeve të paketave të ulura edhe të rregullta, do të operojnë dhe me çmimet sipas modalitetit “pay as you go” (që do të thotë se nuk duhet të blesh asnjë paketë ekstra, ndërsa udhëton, veçanërisht për udhëtime të shkurtra).
“E kisha premtuar në fjalimet e mia, një vit më parë se çmimet e roaming-ut ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të binin bashkë me gjethet e vjeshtës. Nëse dikush kishte ndonjë dyshim, sot s’do të kenë më asnjë arsye, ndaj sot jam e kënaqur që fjalët e mia do të tingëllojnë qetësuese dhe bindëse, për të gjithë. Ky zhvillim historik tashmë po riformëson peizazhin e të dhënave celulare për qytetarët dhe udhëtarët. Suksesi i Deklaratës për Roaming BE-Ballkani Perëndimor është dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit rajonal, për ta transformuar, për ta bërë më të lehtë e më të mirë komunikimin mes vendeve, duke përballuar jo pak herë edhe sfida shumë komplekse. Ky moment historik vjen mes tensioneve politike, betejave ekonomike dhe spektrit në rritje të ndryshimeve klimatike në rajon, fakte këto që e përforcojnë edhe më shumë rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe euroatlantik. Ndërsa festojmë këtë arritje, duhet të njohim e të vlerësojmë përkushtimin e të gjitha palëve të përfshira, veçanërisht operatorët e telekomunikacionit. Presim një të ardhme ku mund të jemi më të ndërlidhur, më të aksesueshëm me botën digjitale dhe të mund ta bëjmë këtë me çmime të përballueshme nga të gjithë.”- tha Sekretarja e Përgjithshme e RCC, Majlinda Bregu.
Lexoni op-ed e plotë nga Majlinda Bregu: “Një thirrje nga rajoni sic e përfytyroj”: Prej sot, flasim më lirshëm me Europën.
Një nga operatorët kosovarë të telekomunikacionit uli çmimin prej 1 GB në paketat roaming të BE-së deri në 73%, dhe çmimet e zakonshme në modalitetin “pay as you go” madje për 99.3%. Është ndër një nga tre operatorët në rajon që ulin çmimet e rregullta. Pra, tani çmimet e paketave roaming në vend të 12 deri në 30 euro për një GB, variojnë nga 5 deri në 8 euro, ndërsa çmimet “pay as you go” u ulën me 147 herë, nga 2.500 euro për 1 GB në 17 euro për GB.
Modaliteti “pay as you go”, do të thotë se nuk duhet të blesh asnjë paketë, veçanërisht për udhëtime të shkurtra, ku nevojiten dukshëm më pak se 1 GB, kështu që kostoja e komunikimit gjatë udhëtimit në BE mund të jetë gjithashtu shumë më pak se çdo paketë, sikur të ishit në shtëpi. Ne ju këshillojmë të kontrolloni çmimet dhe opsionet e reja me operatorin tuaj të telekomit dhe të kujtojmë se çmimet e roaming brenda vendeve të Ballkanit Perëndimor që nga korriku 2021, kur hyri në fuqi “Roam like home”, janë ulur si të ishit në vendin tuaj, që është gjithashtu një nga arritjet e mëdha të bashkëpunimit rajonal.