“Kur të na thërrasin jemi të gatshëm që të zhvillojmë takimin e radhës, por në ndërkohë duhet të vijmë në arat që punohen, në çerdhet që na dhurohen. Jeta vazhdon”, deklaroi Kurti.
Kryeministri Albin Kurti është shprehur i gatshëm që të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kurdo që të caktohet takimi i radhës.
Ai ka deklaruar se në takimin e sotëm me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kanë diskutuar për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes dhe zbatimin e asaj për energjinë në veri.
Kështu ka deklaruar shefi i ekzekutivit pas vizitës në Miresh të Gjilanit.
Në Gjilan ka folur edhe për takimin që pati me të dërguarin e posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak.
“Gjithmonë i kemi dy tema kryesore, e para është korniza e përgjithshme e marrëveshjes dhe e dyta janë çështjet aktuale. Në çështjet aktuale kryesorja për neve është zbatimi i marrëveshjes së energjisë, në mënyrë që edhe në veri të Ibrit të fillojë inkasimi për energjinë e konsumuar, sepse nuk ka kurrfarë kuptimi që ta shfrytëzosh energjinë elektrike nga burimet e Kosovës e të mos paguash asgjë. Prandaj tek çështjet aktuale fokusi ynë është zbatimi i marrëveshjes për energjinë që edhe atje të paguhet energjia elektrike. Që është e domosdoshme për ekonominë tonë dhe për ligjet tona”, ka shtuar Kurti.
Ai është pyetur edhe për liberalizimin e vizave, për çka theksoi se kjo temë diskutohet në një instancë tjetër.
“Çështja e vizave diskutohet në një instancë tjetër, ajo çfarë kemi diskutuar ne është progresi i Kosovës në raportin e progresit edhe sa i përket rajonit Ballkanit jemi shumë mirë, më mirë se shumica. Gjithashtu edhe sa i përket raporteve të mëhershme të progresit jemi shumë më mirë”, ka përfunduar ai.
Kryeministri Albin Kurti bashkë me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci kanë marrë pjesë në vendosjen e gurthemelit të një çerdheje dhe kanë vizituar një fermer, i cili ka të mbjella 10 hektarë grurë në Miresh të Gjilanit.