“Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) e ka organizuar Panairin e Punës me qëllimin t’i njoftojmë punëkërkuesit me punëdhënësit e tyre potencial. Është panairi i parë që po mbahet pas pandemisë COVID-19 dhe e kemi kthyer me qëllim të kërkesës së lartë që kompanitë e kanë për punëtorë”, tha Prapashtica.
Me qëllim të gjetjes së talenteve apo punëtorëve potencial, mbi 20 kompani nga sektorë të ndryshëm janë duke prezantuar pozitat e tyre të reja të punës në panairin e rekrutimit, që po mbahet në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.
Koordinatore e Panairit të Punës, Nita Prapashtica tha për Telegrafin se qëllimi i këtij organizimi është njoftimi i punëkërkuesit me punëdhënësit e tyre potencial.
Ajo theksoi se punëkërkuesit po i shkëmbejnë CV-të e tyre me punëdhënësit potencial.
“Kemi kompani të ndryshme si nga sektori financiar e i TIK-ut. Janë mbi 20 kompani të cilat janë anëtare të OEAK-ut dhe po i presin të rinjtë apo punëkërkuesit. Kemi shumë të interesuar deri më tani, të cilët i kanë shpërndarë CV-të me kompanitë që janë interesuar dhe po shpresojmë që të kemi edhe më shumë gjatë tërë ditës”, theksoi ajo.
Nita Prapashtica, koordinatore e Panairit të Punës në OEAK
Shpend Sadiku, menaxher për Rekrutim në Radix thotë se janë në kërkim të punëtorëve dhe se presin pjesëmarrje më të madhe në këtë panair.
“Në këtë panair prezantohemi me disa pozita për punë, kryesisht për zhvillues softuerik por dhe për Data Analyst. Fokusi është të zhvilluesit softuerik. Gjatë panairit kemi pasur rastin të takojmë disa prej tyre, por besojmë se do të kemi edhe vizitorë të tjerë”, u shpreh Sadiku.
Ndërsa, Florina Thaçi, menaxhere e Burimeve Njerëzore në KFC thotë se kompania është e hapur për rekrutimin e talenteve të rinj.
“KFC si brend ndërkombëtar është gjithmonë i hapur për talent të rinj që t’i bashkohen ekipit tonë, sikurse në 14 restorantet që janë të hapura në tërë Kosovën. Jemi gjithmonë në kërkim të personave që dëshirojnë ta promovojnë karrierën e tyre. Në këtë panair kemi ardhur që të takohemi me kandidatët potencial që të zhvillojnë karrierën e tyre”, thotë Thaçi.
Shpend Sadiku, menaxher për Rekrutim në Radix
Diona Halili nga Art House shprehet se organizimi i panaireve të tilla duhet të përgatis të rinjtë kosovar për tregun e punës.
“Në këtë panair përpos që jemi në kërkim të punëtorëve të rinj, e që janë të gatshëm për të punuar për disa pozita, kemi dëshirë që të njoftohemi me kompanitë tjera. Presim që panairet e tilla të përgatisin tregun për të rinjtë kosovar, e të janë të gatshëm për të punuar dhe të kenë një trajnim e punë serioze, jo vetëm për tregun vendor”, shprehet Halili.
Pjesëmarrës në këtë panair kishte dhe studentë, të cilët kishin shprehur dëshirën që të njoftoheshin me pozitat e reja që ofrohen nga këto kompani.
“Jam studente e vitit të fundit, kështu që kam ardhur t’i shikojë mundësitë për të gjetur punë pas studimeve. Tani jam në përfundim të ekonomisë dhe dizajnit grafik dhe kështu që kam mjaftë mundësi”, thotë studentja Enkeleda Shasivari.
Pamje nga Panairi i Punës
Edhe për stundetin Lekë Rozaja ky panair është mundësi e mirë për gjetjen e përvojave të reja.
“Dëgjova për këtë panair të punës dhe po provoj që të gjej diçka nga drejtimi im që është IT-ja, se atë e studioj. Jam në vit të dytë dhe këtë po e pres që të gjenden përvojat e reja”, tha Rozhaja.
Kurse punëkërkuesi Qëndrim Veseli shpreson që vizita e tij në këtë panair të jetë e suksesshme.
“Kam ardhur në panair që t’i shikojmë mundësitë e reja. Tashmë bisedova me njërën nga kompanitë dhe i mora të gjitha informatat që më duhen dhe po shpresoj që vizita ime të jetë e suksesshme”, përfundon Veseli.