Dyshohen për trafikim me armë, Policia arreston dy persona në rajonin e Podujevës

Arrestimi i tyre është bërë gjatë një plani operativ të hartuar nga zyrtarët policorë të Njësisë për Hetimin e Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, duke u bazuar në urdhëresën e gjykatës kompetente.

Dy persona janë arrestuar këtë të enjte në rajonin e Podujevës, pasi dyshohen për trafikim me armë.

“Njësitet policore nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar në këto lokacione, kanë kryer kontrolle të shtëpive dhe objekteve përcjellëse, pronë e të dyshuarve me qëllim të mbledhjes së provave për veprimtarinë kriminale të të dyshuarve. Në asistencë të realizimit të këtij plani operativ kanë marrë pjesë edhe Njësia Speciale Operative dhe K9 (Njësia me qen)”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjatë këtij operacioni policor janë sekuestruar këto prova materiale: tri armë (dy AK47, një revole), 219 fishekë kalibra të ndryshëm dhe pjesë për armë të kalibrave të ndryshëm, një maskë dhe dy telefona mobilë.

Ndaj të dyshuarve iniciohet rasti nën dyshimin e përfshirjes në dy vepra penale: ‘Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

Pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit dy të dyshuarit dërgohen në mbajtje për 48 orë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.