Në Gjykatën Themelore në Prizren, të martën, dëshmitari Lulzim Rustemi, shoku i të akuzuarit Shefki Asllani ka treguar se si mosmarrëveshja blerës- shitës ka dërguar deri në vrasjen e tani të ndjerit V.L në tregun e Mitrovicës.
Asllani po akuzohet se pas një fjalosje verbale lidhur me rritjen e fidanit të fikut vije deri tek konflikti fizik, ku së pari V.F. tani i ndjeri e godet me gërshërë të pandehurin në kokë dhe i shkakton plagë, ndërkaq i pandehuri Shefki Asllani nxjerr revolen dhe e godet viktimën i cili ndërron jetë si pasojë e lëndimeve të marra. Ndërsa, si pasojë e të shtënave të të akuzuarit Asllani janë plagosur edhe i dëmtuari, Lutfi Fazliu si dhe kalimtari i rastit Agim Abdullahu, Rustemi ka treguar që të akuzuarin Asllani e ka shok dhe se me të njëjtin zakonisht të shtunave ka shkuar në tregun e Mitrovicës.
Ai ka treguar se ditën kritike së bashku kanë shkuar në treg për të blerë fidanë dhe se aty e kanë takuar të ndjerin V.L i cili kishte qenë duke shitur fidanë.
Sipas Rustemit, gjithçka kishte filluar kur i akuzuari Shefkiu kishte kërkuar që të blejë fidanë të fikut dhe diskutimit mes tyre dhe të ndjerit V.L. rreth çështjes se rritjes së fikut në Kosovë.
“Shefkiu tha qetu paska lajthi të egër nuk më kujtohet çmimi sa pare i ka thanë, edhe ndërkohë i ka vërejtur edhe fidanë të tjera limon edhe fiq, edhe u drejtu i tha paske edhe fiq. Ai u përgjigj tha, po kom, ky e pyeti tha a bëhet fiqi në Kosovë a, Shefkiu. Ai i tha bahet bahet qysh s’bahet, mu drejtu, edhe mua Shefkiu më tha a bëhet fiqi në Kosovë, a din si habitshëm kur nuk e din a bahet a s’bahet. Unë ju përgjigja në Shqipëri e di që bëhet, për Kosovë s’paskam ni” ka thënë dëshmitari Rustemi.
Dëshmitari ka treguar se si situata ka nisur të tensionohet mes të akuzuarit dhe të ndjerit V.L., pasi i ndjeri i ishte drejtuar me fjalët “ti po lexojshe shumë”.
“Ai ju drejtu Shefkiut me fjalët “ti po lexojshe shumë”, deri në atë moment gjithqka u kanë në suaza shitës- blerës, asgjë e pazakontë për mua, deri në momentin kur ju ka drejtu Shefkiut “ti po lexojshe shumë”, Shefkiu iu përgjegj “nuk të intereson a lexoj apo jo shumë, pazari është punë qejfi, në pëlqeftë e blej mos më pëlqeftë nuk e blej”. Në këtë moment u afrua shitësi në drejtim të Shefkis dy-tre hapa, ju afrua afër, shumë afër. Atëherë duke parë që nuk është diçka në rregull, edhe meqenëse jam zyrtar policor e kam nxjerr ID ju kam prezentu si polic dhe i kam thanë që ski nevoj mu ba nervoz pazari është punë qejfi, edhe shitësi më ka thënë nuk po më intereson kjo letër hiq”, ka thënë tutje Rustemi.
Tutje, dëshmitari Rustemi ka treguar se nga i ndjeri V.L. ishin kërcënuar në mënyrë verbale dhe se për këtë e kishte njoftuar policinë.
“Se pse u largu ai nuk e di, në atë moment tha “pritni qetash ju kallzoj juve” edhe ka vrapu në drejtim të daljes së tregut. Atëherë unë e kam nxjerr telefonin edhe kam thirr 192, policinë… Ai e bëri një kërcnim verbal “pritni se ju kallzoj juve”. Ai kur u largu tha “pritni qetash ju kallëzoj unë juve”. Unë e kam përfundu telefonatën, u kthy shitësi me gjithë një person tjetër rreth 30-40 vjeçar, s’ mund e përcaktoj sa”, ka thënë Rustemi.
Dëshmitari ka treguar se i ndjeri V.L. pasi ishte larguar dhe përsëri ishte kthyer me një person rreth moshës 30-40 vjeç dhe se në dorë kishte parë se kishte gërshërë dhe duke tentuar që të shmangej kishte parë të akuzuarin Shefkiu të gjakosur në anën e majtë të kokës dhe se këto momente i kishte dëgjuar dy krisma të kishte gjuajtur me armë personi i moshës 30-40 vjeç.
“Kam arrit 4-5 hapa me ik prapa mu shmang, në momentin kur e kam kthy kokën e kam parë Shefkin të gjakosur në anën e majtë në kokë. Edhe i kam dëgjuar 2 krisma. Masanej, e kam parë kur ju ka gjujt me armë ai personi 35-40 vjeç Shefkiut edhe në atë moment si të them e bojshin luftë me armë cili me marrë armën Shefkiut”, ka thënë dëshmitari Rustemi.
Rustemi tha se ka kuptuar që Shefkiu kishte armë në dorë momentin kur i kishte dëgjuar dy krisma, derisa për të ndjerin V.L tha se ka rënë në tokë.
Ndryshe, në këtë seancë është dëgjuar në cilësi të dëshmitarit Rasim Imeri, i cili ka treguar se nuk ka parë kur i akuzuari Shefkiu ka gjuajtur me armë në drejtim të të ndjerit, por se kishte vërejtur se të akuzuarit Shefkiu po i rridhte gjak nga koka.
Imeri ka thënë se i ndjeri kishte poseduar gërshërë në dorë pasi të njëjtat i kishte mjet të punës.
Po ashtu, ai ka treguar nga i akuzuari Shefkiu dhe personit që e shoqëronte iu kishte kërkuar që të largoheshin, por se të njëjtit nuk e kishin dëgjuar.
Seanca e sotme është ndërprerë.
Ndryshe, kjo çështje penale, me vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), më 19 nëntor 2022, është transferuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë në Gjykatën Themelore në Prizren.
Përveç rastit të të akuzuarit Asllani, kjo gjykatë ka pranuar edhe 8 raste të tjera të natyrës penale në Departamentin e Krimeve të Rënda.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 28 tetor 2021, kishte ngritur aktakuzë kundër Shefki Asllanit, me arsyetimin se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.5 të Kodit Penal.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Asllani, më 17 prill 2021, rreth orës 12:40, në Mitrovicë, në rrugën “Adem Voca”, në brendi të Tregut të Gjelbër, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerin V.F., në atë mënyrë që pas një fjalosje verbale lidhur me rritjen e fidanit të fikut, vije deri te konflikti fizik, ku së pari tani i ndjeri e godet me gërshërë të pandehurin në kokë dhe i shkakton plagë shqyese në regjionin e kokës, me ç‘rast i pandehuri nxjerr revolen nga brezi të markës “XDM” dhe shtie në viktimën, duke e goditur në pjesën e përparme të trupit, si pasojë e të cilave vdes.
Në aktakuzë, po ashtu thuhet se si pasojë e të shtënave të të pandehurit janë plagosur edhe i dëmtuari, Lutfi Fazliu si dhe kalimtari i rastit Agim Abdullahu.
DTV