Haxhiu: MD ka arritur të miratojë një gamë të gjerë të politikave dhe ligjeve

Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë, në konferencën e publikimit të raportit të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) me titull “(Mos) Zbatimi i Strategjisë së Sundimit të Ligjit në Praktikë”, ka thënë se MD si rezultat i planifikimeve të strategjisë dhe analizave të punës, kanë arritur miratojnë një gamë të gjerë të politikave dhe ligjeve, nga të cilat disa prej tyre tani më kanë filluar të zbatohen.

Ajo tha se kanë finalizuar rishtazi edhe rregulloren për organizimin e brendshëm të MD-së, e cila parasheh riorganizimin e departamenteve, krijimin e njësive të reja dhe çështje të tjera për të forcuar edhe më tej kapacitet e hartimit, monitorimit dhe analizimit të politikave dhe ligjeve.

Sipas Haxhiut, ata kanë forcuar edhe bashkëpunimin me Odat e profesioneve të lira, duke ndërmarrë aktivitete të përbashkëta në promovim, ofrim më cilësor të shërbimeve e mbikëqyrje por edhe digjitalizim të licencimit.

“Edhe agjencitë ekzekutive të cilat janë në kudër të MD kanë punuar në këtë drejtim. Si për shembull, Shërbimi Korrektues dhe Shërbimi Sprovues, kanë zbatuar aktivitete nga strategjia në drejtimi të zbatimit të kornizës ligjore të rishikuar, e që për rezultat synojnë ngritjen e mëtejshme të kapaciteteve në ekzekutimin e sanksioneve penale “, tha Haxhiu.

Sipas saj, edhe Agjencia për Ndihmë Juridike Falas në kuadër të MD-së, është duke bërë përpjekje për mbulueshmëri edhe më të madhe territoriale dhe ngritje të mëtejshme të cilësisë të ofrimit të ndihmës juridike falas.

E njëjta, po ashtu ka vlerësuar faktin se gjatë kësaj kohë është shtuar numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve, është avancuar SMIL-i, bëhet caktimi automatik u lëndëve të gjyqtarëve, janë avancuar programet e Akademisë së Drejtësisë, regjistrimi i gjykimeve përfundimtare në evidencën qendrore penale dhe tani është digjitalizuar, pra ofrimi i certifikatave dhe shumë shërbimeve tjera.

Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të National Endowmend for Democracy (NED), të mërkurën publikoi raportin lidhur me zbatimin e Strategjisë për Sundimin e Ligjit (SSL), raport në të cilin është analizuar çështja e përmbushjes së aktiviteteve nga ana e institucioneve që kanë pasur obligim t’i përmbushin aktivitetet e përcaktuara me SSL dhe Plan të Veprimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.