Udhëzimi administrativ për ndalimin e qeseve të plastikës, i cili ka hyrë në fuqi që nga data 29 shtator të këtij viti ka për qëllim nxitjen e riciklimit dhe të përmirësojë qëndrueshmërinë e mjedisit në vend.
Në diskutimin e mbajtur sot (e mërkurë) me përfaqësues nga Bashkimi Evropian dhe Qeverinë Gjermane, u tha se Udhëzimi administrativ parasheh që qeset e plastikës me peshë nga 25 deri 50 mikron do të kenë tarifa për pagesa, por nuk do të kenë logo të bizneseve.
Ministri Aliu shtoi se nga rregullat e Udhëzimit administrativ qeset plastike do të paguhen me nga 5 centë e të cilat mund edhe të ripërdoren.
Johanes Steanbeak Madsen nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka thënë se qëllimi kryesor i Udhëzimit administrativ është pakësimi i përdorimit të qeseve të plastikës. Në këtë mënyrë ai tha do të rritet edhe përgjegjësia tek qytetarët dhe bizneset private.
Gjatë prezantimit të Udhëzimit administrativ, zyrtarë të MMPHI-së kanë treguar treguar se udhëzim ka hyrë në fuqi nga 29 shtator. Ata janë shprehur po ashtu se kanë pranuar komentet edhe nga prodhuesit, shitësit dhe importuesit e qeseve.