Sërish mungon VV-ja, dështon për herë të dytë të konstituohet Komisioni Hetimor për rezervat shtetërore

Komisioni Hetimor për rezervatet shtetërore ka dështuar të konstituohet edhe pas tentimit të dytë gjatë së mërkurës, raporton DTV.

Kjo pasi në mbledhjen e thirrur për në orën 10:00 nuk ishin prezentë asnjë nga deputetët e VV-së, për çka u pamundësuar edhe koriumi për votim. Ndonëse mbledhja u thirr për në orën 15:00, deputetët e kësaj parie sërish nuk morën pjesë.

Ky Komision do të hetojë procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla.

Iniciuesi i këtij komisioni, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, gjatë seancës së fundit ka thënë se duhet të zbardhen të gjitha dyshimet për keqpërdorime me rezerva shtetërore nga ana e Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë.

Në skandalin me furnizimin me rezerva shtetërore dyshohet se janë të përfshirë ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, pronari i “Buke e Zemër”, Ridvan Muharremi dhe disa zyrtarë të tjerë.

Në lidhje me dyshimet për keqpërdorime me rezerva shtetërore, policia pati arrestuar Ridvan Muharremin dhe dy zyrtarë të tjerë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.