INPO: Mbi 30% të tenderëve në nivel vendi u anuluan, shumica prej tyre pas hapjes

Organizata Iniciativa për Progres – INPO, në kuadër të monitorimit sistematik të prokurimit publik ka publikuar raportin “Anulimi i prokurimit, domosdoshmëri apo keqmenaxhim”, raport i monitorimit në 20 komuna të Republikës së Kosovës.

Gjetjet e raportit janë shqetësuese në raport me numrin e aktiviteteve të prokurimit të anuluara në tri vitet e fundit nga të gjitha Autoritetet Kontraktuese në nivel vendi. Trendi i anulimit të prokurimit është duke e rritur dhe këtë vit pritet të shënojë rritje më të madhe se në vitet e paraprake.

Vitin e kaluar 30% e të gjitha tenderëve në nivel vendi janë anuluar. Shumica e tyre janë anuluar pas hapjes së tenderëve.

Në periudhën Janar – Shtator 2023, janë anuluar 31% e të gjithë tenderëve të inicuar. Shumica e tyre apo 16% janë projekte kapitale apo tenderë për punë. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, 83 tenderë më shumë janë anuluar.

“Me këtë ritëm dhe “kulturë” të prokurimit, deri në fund të vitit kjo përqindje do të rritet edhe më shumë, si dhe do të tejkaloj numrin e përgjithshëm të anulimit të prokurimit të vitit të kaluar”, thuhet në njoftimin e INPO-s.

Askush nga institucionet relevante nuk e ka ngritur apo trajtuar këtë çështje!

Sipas raportit të INPO-s “Anulimi i prokurimit, domosdoshmëri apo keqmenaxhim” shumica e tenderëve në komuna anulohen pas hapjes dhe vendimet për anulimin e tyre nuk janë ligjërisht të justifikueshme dhe përmbajtësisht të argumentueshme. I njëjti trend është edhe në nivelin qendrorë.

“Anulimi i procedurës pa justifikim të argumentueshëm ligjor, ekspozon Autoritetet Kontraktuese para rrezikut që të jenë subjekte të proceseve të gjata dhe të lodhshme të shqyrtimit të prokurimit dhe i procesve gjyqësore të cilat mund të rezultojnë me pasoja shkatërruese për to. Në anën tjetër, anulimi i tenderëve pa arsye të vlefshme i pamundëson Autiteteve Kontraktuese që të përmbushin objektivat institucionale dhe të ofrojnë shërbime të mira për qytetarë”, thuhet në njoftimin për media të INPO-s.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.