Ambasadori serb në SHBA, Marko Gjuriq, ka thënë se akuzat e Prishtinës ndaj djalit të presidentit serb, Danillo Vuçiq, tregojnë “se konflikti i rrezikshëm hibrid i Albin Kurtit me Serbinë nuk ka pushim, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga SHBA dhe BE”.
“Në një seri tjetër lëvizjesh të regjimit të Albin Kurtit në shkallët përshkallëzuese – zyrtarët më të lartë të regjimit vunë në shënjestër Danillo Vuçiqin, djalin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, duke bërë akuza të ashpra “të rreme” me qëllim të denigrimit të mëtejshëm të Serbisë dhe delegjitimimit të qeverisë së saj”, ka shkruar Gjuriq në rrjetin social “X”.
Ai ka pretenduar se, në të njëjtën kohë, “sundimi i terrorit vazhdon çdo ditë në terren”.
“Sot, forcat e Kurtit e sulmuan një auto-ambulancë dhe penguan dërgimin e mjeteve jetike në një objekt mjekësor. Dje kanë kryer fluturime stërvitore të dronëve vrasës mbi Gjakovë, duke vazhduar kështu grumbullimin e paparë të forcave speciale të Kurtit në veri të Kosovës, në kundërshtim me nenin 9 të Marrëveshjes së Brukselit”, pretendon Gjuriq.
Ai gjithashtu ka pretenduar se Kurti i demonstron gjithë botës ditë për ditë, muaj pas muaji, se “nuk është partner për normalizim, se asnjëherë nuk planifikon të përmbushë obligimin e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe” dhe se “ai dëshiron që të gjithë serbët të largohen nga Kosova”.
DTV