Kjo është konfirmuar nga Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili vendosi të lëshohet në disa detaje rreth iniciativës franko -gjermane për gjetjen e një marrëveshjeje Kosovë -Serbi. Ai tha se i di të gjitha detajet, por u tregua i përmbajtur rreth asaj që përmbajnë propozimet. I pyetur nëse Parisi e Berlini po angazhohen për një marrëveshje pa njohje, Bislimi ishte i shkurtër dhe nuk e përmendi “marrëveshjen me njohje në qendër”. “Për këtë duhet të flasin bartësit në momentin kur ata mendojnë se është koha e duhur për të folur”, tha ai.
Dy këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, që erdhën në Prishtinë më 9 shtator e pastaj vazhduan edhe në Beograd, me propozime për Kosovën e Serbinë, kanë sjellë edhe një afat me vete se kur duhet të japë përgjigje Kurti.
Propozimet e Gjermanisë e Francës janë bërë objekt diskutimesh tash e disa javë në Kosovë e Serbi.
Fillimisht, pala kosovare është treguar e rezervuar rreth një shkrimi në media ku thuhej se “non paper’ që është sjellë nga gjermanët dhe francezët përmban elementet e një marrëveshje që do të arrihej në vitin e ardhshëm, që nuk do ta adresonte njohjen menjëherë, por me të cilën do të sigurohej njohja nga pesë vendet anëtare.
Vuçiq ndërkaq duke folur për letrën që thoshte se ka refuzuar të pranojë, por që vetëm e ka lexuar, ka thënë se Serbisë i kërkohej që Kosova të lejohet të anëtarësohet në OKB. Por, kjo është hedhur poshtë gjerësisht në Kosovë, duke thënë se bëhet fjalë për propagandë të Vuçiqit.
Në Kosovë, janë hapur pak më shumë rreth kësaj teme javën që shkoi. Fillimisht, ekzisten e propozimit gjermano – francez e pranoi Donika Gërvalla e më pas edhe Kryeministri Kurti.
Kurti të hënën në Gjilan tha se po qarkullojnë ide. Sipas tij, jo vetëm në Paris e Berlin, por edhe në Uashington, Bruksel, Romë, Prishtinë e Beograd.
“Ka një iniciativë franko-gjermane e cila dëshiron që të jap edhe më shumë fuqi zotëri Lajçak, sikurse që i jep edhe mbështetja e vazhdueshme amerikane. Diskutohen modele të ndryshme, por nuk ka diçka përfundimtare, aq më pak vendimtare që do të mund të thuhej që ky është propozimi franko-gjerman dhe rrjedhimisht diskutojeni tash dhe jepni vërejtjet”, ka thënë Kurti në Gjilan, të hënën.
Bislmi i duke folur në një intervistë mbrëmë,në ATV, tha se është Kurti ai që duhet të japë përgjigje për propozimin franko -gjerman
“Çka është trajtu unë nuk mundem me diskutu, se nuk kam qenë pjesë e diskutimeve edhe iu takon atyre personave që kanë qenë të kyçur me vendos se kur ka substancë të mjaftueshme, nëse ka, për me dalë në publik. Në qoftë se në këtë moment do të dilej me ndonjë element në publik, mendoj që kjo do të ishte kundër produktive dhe e dëmshme” tha Bislimi.
“Ajo që ka dalë në publik nuk ka të bëjë kurgjo me diskutime e brendshme. Unë besoj që dokumenti që ka rrjedhë në publik, është një listë e dëshirave e përpiluar, ndoshta në Serbi, por që nuk është ajo që është tek z.Kurti apo tek Zoti Vuçiq, për aq kohë sa, unë besoj që është prezantuar e njëjta te të dy palët, nuk e dimë çfarë i është prezantuar z.Vuçiq. Ajo që ka deklaruar Vuçiq nuk është e saktë” shtoi Bislimi.
I pyetur nëse Parisi e Berlini po angazhohen për një marrëveshje pa njohje, Bislimi ishte i shkurtër.
“Për këtë duhet të flasin bartësit në momentin kur ata mendojnë se është koha e duhur për të folur. Unë nuk jam pjesë e atyre bisedimeve. Ata kur kanë ardhur, janë taku tete a tete me zotin Kurti” theksoi ai.
Më tej, Bislimi tregoi që dy këshilltarët kanë lënë edhe një afat për përgjigje, por nuk tregoi se ka kohë Kryeministri dhe nëse përgjigja është dërguar..
“Mendoj se Kurti do të dërgojë përgjigjen e tij në momentin që i është kërku me e dërgu përgjigjen. Ka afat, duhet me dërgu” pohoi zëvendëskryeministri.
“Nuk jam unë personi që duhet me u deklaru për ni temë ku nuk kam qenë i përfshirë. Për gjithçka që ndodhë në Bruksel, unë jam kryenegociatori bartësi i procesit. Kjo është iniciativë franko -gjermane. Mua nuk më takon të flas, normal që i di detajet” përfundoi ai.