Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano, ka theksuar nevojën për bashkëpunim të plotë dhe të pakushtëzuar nga Serbia lidhur me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.
“Nuk është vetëm se presim bashkëpunim të plotë nga Serbia, por gjithashtu edhe bashkëpunim të pakushtëzuar. Nëse ka vullnet, mund të gjenden edhe mënyrat, por nuk mund të fshiheni prapa formaliteteve si ‘njohja’ ose ‘mosnjohja’”, ka deklaruar ai.
Zyrtari i BE-së ka thënë se ngjarja e 24 shtatorit është diçka shumë serioze dhe duhet të sqarohet plotësisht, pasi do të ketë pasoja të mëdha.
Më 24 shtator, një grup terrorist sulmoi njësinë patrulluese të Policisë së Kosovës në një rrugë në fshatin Banjskë, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Më pas, grupi i terroristëve u strehua në manastirin në Banjskë, prej ku vazhdoi përleshjet me zyrtarët policorë.
Gjatë përleshjeve, sipas Policisë së Kosovës, janë vrarë tre sulmues.