“Kosova ka pritur shumë popuj dhe ushtri në tokën e saj, që nga fiset paleo-ballkanike të epokës së neolitit e deri te ushtarët amerikanë të NATO-s. Ishte gjithashtu një tokë bizantine ku lindën manastiret e saj madhështore ortodokse serbe”. Ky është një pjesëz përshkrimi që ia ka bërë Kosovës Petit Fute, me qëllim të promovimit të saj, sipas angazhimit nga Ministria e Tregtisë.
Ministria e Tregtisë ka angazhuar kompaninë franceze Petit Fute, për promovimin e Kosovës. Shkrimi në revistën franceze që pretendohej se do ta promovonte vendin, e përshkruante atë si “tokë ku linden manastiret serbe”. Kjo është marrëveshja mes Ministrisë dhe Petit Fute.
Në marrëveshjen e dy palëve thuhet se “Qëllimi i kësaj marrëveshje bashkëpunimi është promovimi i vlerave kulturore dhe turistike të Republikës së Kosovës në tregun turistik Frankofon nga kompanie franceze “Petit Fute” me përvojë mbi 45 vjeçare një tregun turistik.
KIESA është zotuar se do të paguajë 2800 euro Petit Futen dhe do t’i ofroj fotografi të Kosovës për revistën që do të botohej në shtator të vitit 2022.
Revista është botuar dhe aty Kosova, ndër të tjera, është vendi ku linden manastiret ortodokse serbe.
Pas reagimit të shefit të Grupit Parlamentar Abelard Tahiri se Ministria ka sponsorizuar një artikull të tillë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka dhënë versionin e saj mbi këtë ndodhi.
Kjo ministri thotë se ky artikull nuk është paguar nga ta dhe nuk është versioni të cilin KIESA (Agjencia për investime dhe përkrahje të ndërmarrjeve në Kosovë) e ka dërguar tek kjo shtëpi botuese.
Ministria në reagim, e edhe sot ministri i Kulturës, Hajrulla Ceku në Kuvend, kanë paralajmëruar ndjekjen e rrugëve ligjore lidhur me këtë publikim për Kosovën.
“Në këtë rrethanë të krijuar në dëm të historisë sonë të lashtë kombëtare, me publikimin e Shtëpisë Botuese “Petit Fute” të paaprovuar dhe papaguar nga MINT- KIESA dhe duke shtrembëruar tërësisht historinë tonë kombëtare, përkundër kërkesës sonë për korrigjime dhe premtimit nga Shtëpia Botuese “Petit Fute”, për editim dhe dërgim për aprovim të tekstit nga KIESA, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të ndjekë rrugët ligjore për të adresuar dëmin e krijuar”, thuhet në reagim.
Kjo ministri ka sqaruar se KIESA ka dërguar dokumentin informues për potencialet e Kosovës më 9 gusht të vitit 2022, derisa thotë se ky tekst nuk përmbante asgjë nga shkrimet e publikuara.
Po ashtu thuhet se më 18 gusht kanë pranuar një version tjetër nga “Petit Fute” për të cilin MINT thotë se ka qenë i ndryshuar tërësisht për çka ka reaguar KIESA dhe ka ridërguar tekstin e njëjtë të datës 9 gusht.
“Në komunikim me përfaqësuesit e Shtëpisë Botuese “Petit Fute” të datës 09.08.2022, KIESA ka dërguar dokumentin informues për potencialet e Republikës së Kosovës për tu publikuar në katalogun e ‘’Petit Fute”. Teksti i vetëm i dërguar nga KIESA tek shtëpia botuese “Petit Fute” është i hapur për publikun dhe nuk përmban asgjë nga shkrimet e publikuara në faqet 94 dhe 95 të katalogut të publikuar nga shtëpia botuese ‘’Petit Fute’’.
Me datën 18.08.2022, Shtëpia Botuese “Petit Fute” ka dërguar një verzion tjetër të dokumentit promovues të KIESA, për të cilin ka kërkuar komente. Me datën 19.08.2022, KIESA ka reaguar për draftin e ndryshuar tërësisht duke ia rikujtuar Shtëpisë Botuese që, materiali i dërguar nga “Petit Fute” nuk mbështetet aspak në tekstin e dërguar nga KIESA, si dhe ka ridërguar tekstin e njëjtë në bashkëngjitje të dërguar me herët me datën 09.08.2022”.
Në reagim thuhet se KIESA e ka refuzuar publikimin e dokumentit pa aprovim dhe se “Petit Fute” nuk e ka dërguar artikullin e korrigjuar, ndonëse kishte premtuar për këtë.
“Më 28.09.2022, KIESA ka refuzuar publikimin final të dokumentit në fjalë dhe iu ka kërkuar Shtëpisë Botuese “Petit Fute” që para çdo publikimi të ndonjë artikulli të merret aprovimi nga KIESA. Përkundër kësaj, Shtëpia Botuese “Petit Fute” nuk ka dërguar artikullin me korrigjimet e nevojshme për aprovim dhe pagesë nga KIESA, ndonëse i ishte premtuar se teksti do të korrigjohet dhe editohet sipas tekstit origjinal të dërguar nga KIESA”.
MINT-i ka treguar gjithashtu se bashkëpunimi mes KIESA-s dhe Shtëpisë Botuese “Petit Fute” ka nisur në vitin 2016 në qeverisjen e kaluar, dhe ka vazhduar në shkurt të 2022-ës në këtë qeverisje
“Bashkëpunimi në mes ish Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë – KIESA dhe Shtëpisë Botuese “Petit Fute” ekziston që nga data 11 shkurt 2016, me nënshkrim të marrëveshjes në mes dy palëve për mbështetjen e hartimit, dizajnimit, shtypjes dhe publikimit të 1,500 kopjeve të broshurës për atraksionet turistike në Kosovë, të përshtatura për turistët francezë”.
“Në qeverisjen e tanishme, me datën 9 shkurt 2022, përmes një komunikimi zyrtar nga Shtëpia Botuese “Petit Fute” janë kontaktuar Departamenti i Industrisë dhe më pastaj KIESA, në lidhje me vazhdimin e bashkëpunimit për promovimin e kapaciteteve turistike të Kosovës në Francë. KIESA ka vazhduar komunikimin direkt me Shtëpinë Botuese “Petit Fute” dhe ka konfirmuar marrëveshjen e bashkëpunimit për promovimin e aktiviteteve potenciale të turizmit në Kosovë”.