/

Doktori Blerim Feka, jep dorëheqje pas përplasjes verbale me qytetarin, ishte shefi i Gjinekologjisë në Spitalin e Vushtrrisë

“Dr. Blerim Feka, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga detyra e mjekut specialist dhe e ka njoftuar Spitalin për shkëputjen e Kontratës së punës për arsye personale”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Doktori Blerim Feka, shef i Repartit të Gjinekologjisë në Spitalin e Vushtrrisë, ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij dhe nga detyra e mjekut në këtë spital, pas përplasjes verbale me familjarin e një pacienti.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar Drejtoria e Spitalit të Vushtrrisë, përmes një përgjigjeje me shkrim.

Ndryshe, në një video-incizim që është shpërndarë në rrjetet sociale, doktori Blerim Feka shihet duke debatuar ashpër me familjarin e një pacienti, i cili kërkon që ta lejojë ta shohë fëmijën e tij të sëmurë. Sipas qytetarit, mjeku gjinekolog nuk ka pasur sjellje të hijshme karshi gruas së tij, e cila i është drejtuar Fekës për komunikim dhe i njëjti dyshohet të ketë bërtitur nëpër spital.

Për rastin, Telegrafi ka kontaktuar Policinë në rajonin e Mitrovicës.

Zëdhënësi, Avni Zahiti ka thënë se “rasti është raportuar sot rreth orës 15:00, rasti është cilësuar si prishje e rendit dhe qetësisë”.

Ndërkaq, pas raportimit, ka reaguar edhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës.

ShSKUK ka kërkuar nga spitali të merren masa urgjente ndaj mjekut konform të gjeturave dhe legjislacionit në fuqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.