Qeveria në mbledhjen e sotme ka aprovuar në parim kërkesën e Telekomit për huamarrje prej 15 milionë eurosh për projekte investive në këtë ndërmarrje.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se ministria ka shqyrtuar kërkesën e Telekomit e cila fillimisht ka qenë 20 milionë euro.
“Kjo kredi do të shërbejë për investime në pajisje dhe sisteme telekomunikuese dhe përmirësimin e shërbimeve nga Telekomi”, ka deklaruar ai. Sipas tij, Telekomi ka pasur nevojë për këtë kredi shtesë.
Kabineti qeveritar i ka mbështetur edhe propozimet për themelimin e tri ndërmarrjeve publike në Kosovë.
Në mbledhjen qeveritare është miratuar propozim-vendimi për themelimin e ndërmarrjes publike lokale “Dardana Sh. A. Kamenicë”.
U miratua edhe propozimi për ndërmarrjen “Eko-Llapi Sh.A. Podujevë” si dhe “Eko-Theranda Sh. A.”.