Pas refuzimit të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje për të marrë pjesë në seancën ku do të votohej Rezoluta për Policinë e Kosovës, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se pushteti e do policinë vetëm për mburrje.
“Është e mjerueshme dhe për keqardhje kjo qasje e pushtetit ndaj policëve tanë. Shpejt e harruan sakrificën e Heroit Afrim Bunjaku dhe kolegëve të tij, të cilët, çdo ditë e vënë jetën e tyre në rrezik për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe sovranitetin e shtetit tonë”, ka shkruar kreu i PDK-së.
Krasniqi tha se PDK nuk do të ndalet dhe do të insistojë, përmes të gjitha mënyrave dhe mekanizmave që këtë Rezolutë të miratohet. “Shtesat për rrezikshmërinë, sigurimi shëndetësor dhe miratimi i Ligjit për pensionim të parakohshëm – janë më të paktat që meritojnë policët tanë”, është shprehur Krasniqi.