Albesa Cacaj, bashkëshortja e Agonis Tetaj ka reaguar pasi Gjykata e Pejës ka dënuar veç me 7 vite e 6 muaj burgim Shaban Gogajn, për vrasjen e burrit të saj.
Ajo në Facebook ka shkruar se kjo nuk ishte drejtësia që si familje e prisnin.
“Sot, gjykata dha verdiktin e saj për vrasjen e bashkëshortit tim, Agonis Tetaj. Kjo nuk është drejtësia të cilën e kemi pritur dhe shpresuar ne si familje! Ne presim nga Gjykata e Apelit që ta vendos drejtësinë duke dhënë dënimin adekuat, për vrasjen e bashkëshortit tim dhe babait të dy fëmijëve të mi, Lisit dhe Blinit”, shkruan ajo.
Ajo ka shtuar se vendimi i sotëm nuk është drejtësi, teksa ka bërë edhe një kërkesë publike për Gjykatën e Apelit.
“Për ne ditët janë të gjata e vitet e dhimbjes po rriten, tashmë kaluan 4 vite dhimbje e sfida nga më të ndryshme! Kjo veç drejtësi nuk është! Andaj, Kërkoj publikisht nga Prokuroria e Shtetit që të parashtroj ankesë në Gjykatën e Apelit, nga e cila presim që të vendos drejtësinë e merituar”, përfundon postimi i saj.
Ndryshe, vendimin e Gjykatës së Pejës e ka kundërshtuar edhe Prokuroria Themelore në Gjilan.
Përmes një komunikate, kjo prokurori ka njoftuar se do të ushtrojë ankesë ndaj vendimit të Gjykatës Themelore të Pejës, duke mos u pajtuar me cilësimin juridik të veprës penale “Vrasje nga pakujdesia”.
Sipas kësaj prokurorie ky rast duhet të ricilësohet në vepër penale “Vrasje e rëndë”.
Edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka quajtur të padrejtë dhe skandaloz vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë ndaj Shaban Gogajt.
Vrasja e Agonis Tetajt kishte ndodhur më 23 shtator 2018.
Babai i Agonisit, Isufi pati publikuar videon e momentit kritik duke alarmuar se po manipulohej rasti.
Pas kësaj, vepra u rikualifikua si “vrasje e rëndë”, por të premten Gogaj s’u dënua për këtë, por gjykata vendosi se vrasja ishte nga pakujdesia.
Në video Shaban Gogaj shihet tek e hap një dollap në arkën e marketit, pronar i të cilit është babai i tij, nxjerr revolen, e drejton kah tre punonjës të të njëjtit biznes, që i kishte larg pak metra, dhe shkrep një plumb drejt tyre.
Procesi gjyqësor është përcjellë me zvarritje të shumta, pas përjashtimit të avokatit të Gogajt, Besnik Berisha.