Për të katërtën herë me radhë ka dështuar të bëhet konstituimi i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla.
Kjo ngase deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë marrë pjesë në mbledhjen e ftuar për konstituimin e Komisioni Hetimor.
Kryesuesi i Komisionit Rashiq Qalaj, tha se është i papranueshme bojkoti i mazhorancës. Ai madje tha se do t’i drejtohen kryetarit të Kuvendit në lidhje me mungesat për katër herë të deputetëve të VV-së.
“Sot paradite ka qenë një bojkot tjetër ku kanë qenë të ftuar nga sindikata e Policisë dhe tashmë po e shihni se edhe në këtë komision nuk janë prezentë. Kjo ka vetëm një shpjegim dhe ata kanë për synim t’i ikin përgjegjësisë për keqpërdorimet në MINT. Jemi duke ardhur të gjithë në Komision çdo ditë që të zbardhet e vërtetat për keqpërdorimet në rezervat shtetërore”.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku, ka thënë se bojkoti po bëhet me urdhër të kryeministrit Albin Kurti.
“Normal se nuk vijnë se e kanë urdhrin nga Albin Kurti sepse sekret shtetërore është vendi ku ruhen dhe jo nëse kanë ardh apo jo. Këtë keqpërdorim nuk mund ta arsyetojnë dhe jam e bindur se mungesa janë me urdhër të diktatorit (Albin Kurti)”, u shpreh ajo.
Kritika për mungesë të mazhorancës pati edhe deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili. Ajo madje pyeti nëse tash VV-ja po i beson Prokurorisë, ngase zyrtarë të saj janë deklaruar se këtë çështje duhet ta shqyrtojnë organet e drejtësisë.
Kjo situatë është më shqetësuese se sa ne po e transmetojmë. Problemi është se e kanë votuar në Kuvend dhe e kanë ditë që do ta sabotojnë në komisione. Akterë të VV -së po bëjnë thirrje që këtë keqpërdorim t’ia lënë Prokurorisë. Pse po i besojnë sot Prokurorisë, çka ka ndodh, pse po blejnë kohë dhe pse janë të gatshëm t’i shohin klto prova prokurorët dhe jo ne? Fatkeqësia më e madhe është se po flasim për një ministre që gjithë këshilltarët i kanë ikur dhe sot në krah e ka një këshilltar që e kishte shofer. Në emër të farsës e kanë votuar në seancë, ndërsa ministrja e Drejtësisë del dhe deklarohet se e kanë votuar. I kërkoj kryetarit që t’i drejtohemi Zyrës Ligjore se si të vazhdojmë më tutje”, u shpreh ajo.
Pal Lekaj nga AAK, tha se nëse vazhdohet me këtë bojkot është më mirë që të shkohet në zgjedhje, duke i kritikuar deputetët e VV-së se pagat po i marrin e s’po vijnë në Komision.
“Po shihet qartë se mazhoranca po i bojkoton kërkesat e opozitës, opozita nuk është për të mirë të qytetarëve, për më tepër po i kundërshton ato. Në seancë nga të përzgjedhurit nuk janë deklaruar se nuk do të marrin pjesë, pagat i marrin paga të majme dhe sa herë që ne i kemi bojkotuar na kanë kritikuar. Nëse vazhdojmë me këtë bojkot, atëherë është më mirë që të shkojmë në zgjedhje”, tha Lekaj.
Ideja për një komision hetimor lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore ka ardhur nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Por, kundër këtij komisioni hetimor ka dalë lëvizja Vetëvendosje.
Kuvendi i Kosovës, pas rreth katër orësh diskutimesh, ka votuar për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për rezervat shtetërore, me 69 vota për, me 21 shator.
Në skandalin me furnizimin me rezerva shtetërore dyshohet se janë të përfshirë ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, pronari i “Buke e Zemër”, Ridvan Muharremi dhe disa zyrtarë të tjerë.
Në lidhje me dyshimet për keqpërdorime me rezerva shtetërore, policia pati arrestuar Ridvan Muharremin dhe dy zyrtarë të tjerë.