Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim zëvendësdrejtorin menaxhues për Evropë në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS), Marko Makovec.
Pas aktit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë kundër Republikës së Kosovës, Osmani vuri theksin tek rëndësia që Serbia të mbahet përgjegjëse përmes masave konkrete nga BE-ja. Ajo nënvizoi se parandalimi i përpjekjeve të vazhdueshme të Serbisë për destabilizim të të gjithë rajonit tonë është kyç.
Presidentja theksoi se “ky sulm ishte i përgatitur dhe i orkestruar nga Serbia, dhe i ekzekutuar nga grupe terroriste e paramilitare, gjë që e dëshmojnë dëshmitë e shumta të siguruara nga institucionet tona të sigurisë”.
Presidentja Osmani riafirmoi përkushtimin e plotë të Republikës së Kosovës që të punojë ngushtë me partnerët e saj për t’i tejkaluar sfidat e krijuara nga ky akt i agresionit, duke përmendur bashkëpunimin e vazhdueshëm të institucioneve tona me ato ndërkombëtare e sidomos ato të sigurisë, përfshirë EULEX-in.