Republikanët zgjodhën të premten ligjvënësin konservator Jim Jordan, si kandidat për postin kryetarin e ri të Dhomës së Përfaqësuesve. Siç na njeh materiali në vazhdim, që të zgjidhet në këtë post nga të gjithë anëtarët e Dhomës, zotit Jordan i duhet një mbështetje shumë më e gjerë nga ajo që i bëri të mundur emërimin nga kolegët e tij republikanë me 124 vota pro dhe 81 kundër.
Dhoma e Përfaqësuesve vazhdon të jetë në ngërç. Ajo nuk mund të miratojë legjislacion për të dërguar ndihma për Izraelin apo Ukrainën, deri në një votim të plotë javën e ardhshme për të vendosur nëse republikani Jim Jordan do të marrë postin e kryetarit.
“Mendoj se mund ta unifikoj partinë. Mund t’i tregoj vendit se çfarë po bëjmë dhe pse ka rëndësi për ta”, tha ligjvënësi Jim Jordan.
Republikanët votuan 124-81 në favor të zotit Jordan, duke i dhënë atij shansin për të bindur të 217 anëtarët republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve që ta votojnë atë në postin e kryetarit.
“Problemi është se ajo që kënaq njërin, nuk e kënaq tjetrin, dhe premtimet e bëra për njërën palë mund të shqetësojnë palën tjetër brenda partisë. Prandaj kemi gjithmonë një hapësirë shumë të ngushtë veprimi për zgjedhjen e kryetarit edhe pse tashmë kemi një kryetar të shkarkuar nga posti”, thotë për Zërin e Amerikës Casey Burgat, me Universitetin George Washington.
Në mandatin e tij të nëntë, ligjvënësi Jim Jordan njihet për hetimet ndaj administratës së Presidentit Biden. Ai fitoi mbështetjen e zotit Kevin McCarthy, i cili u shkarkua nga posti i kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve përmes një votimi historik.
“Mendoj se Jim Jordan mund të bëjë një punë të shkëlqyer”, u shpreh zoti McCarthy para votimit të së premtes.
Udhëheqësi i pakicës demokrate, Hakeem Jeffries, pritet të fitojë mbështetjen e të 212 demokratëve kur vendimi të hidhet për një votim të plotë në Dhomën e Përfaqësuesve.
“Republikanët kanë zgjedhur një kandidat për postin e kryetarit, i cili gjatë 16 viteve në këtë Kongres nuk ka miratuar asnjë projektligj të vetëm, sepse fokusi i tij nuk ka qenë tek populli amerikan. Ai ka qenë i përqendruar tek mashtrimet, teoritë konspirative dhe nxitja e ndarjes mes popullit amerikan”, tha demokrati Hakeem Jeffries.
Disa demokratë kanë sugjeruar një marrëveshje për ndarjen e pushtetit me qëllim sigurimin e 217 votave të nevojshme për zgjedhjen e kryetarit.
Republikanët po shqyrtojnë gjithashtu dhënien e më shumë kompetencave kryetarit të përkohshëm të Dhomës së Përfaqësuesve, Patrick McHenry, për të miratuar legjislacione për një periudhë disa javore.
“Me një shumicë prej 218 votash mund të bëjnë pothuajse gjithçka, përfshirë ndryshimin e rregullave për të krijuar një precedent të ri. Pra, nëse ata duan t’i japin atij më shumë kompetenca, kryetarit në detyrë, ata mund ta bëjnë këtë”, thotë Casey Burgat, me Universitetin George Washington.
Dhoma e Përfaqësuesve pritet të mblidhet të hënën për një votim të plotë./VOA/