Kreu i MPB-së, Xhelal Sveçla, është lajmëruar në profilin e tij në ‘facebook’ pas aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës dhe bastisjes në shtatë lokacione, prej ku është sekuestruar një sasi e konsiderueshme e armëve të llojeve të ndryshme.
Sveçla thotë se me bastisjet e sotme ka vijuar zbardhjna e planit të strukturave terroriste të Serbisë për aneksimin e veriut të Kosovës.
Armët e kapura, Sveçla thotë se janë prodhime të njëjta me ato që janë sekuestruar në Banjskë dhe Zveçan dhe sipas tij ato e qartësojnë për Kosovën dhe për opinionin ndërkombëtar për gjerësinë e planit të Serbisë për aneksimin e veriut përmes agresionit terrorist.
Reagimi i plotë:
Vijon zbardhja e planit të strukturave terroriste të Serbisë për aneksimin e veriut të vendit tonë.
Armatimi i zbuluar sot bën pjesë në arsenalin e Zveçanit dhe Banjskës. Në kuadrin e aktivitetit policor, sot u zhvilluan bastisje në shtatë lokacione në veriun e vendit tonë.
Granatahedhës dore, eksplozivë, mina kundër këmbësorisë, mina me sahat e teledirigjim, detonatorë e çanta me pajisje të ndryshme, prodhime të njëjta me ato që u sekuestruan në Banjskë dhe më herët në Zveçan, po qartësojnë për ne dhe për opinionin ndërkombëtar gjerësinë e planit të Serbisë për aneksimin e veriut përmes agresionit terrorist.
Ne pandalshëm dhe me energji shtesë do të vazhdojmë deri në çrrënjosjen e terrorizmit kundër Republikës.