Fillon luftë brenda VV-së në Kuvend, Mujën e Pacollin me detyrë nga Kusari i kundërpërgjigjen Haki Abazit

Pas kësaj konference të deputetit Abazi që ka pranuar vërejtjet e Raportit, Lëvizja Vetëvendosje është vënë në lëvizje dhe ka nxjerrë në një konferencë për media dy deputet të Grupit Parlamentar që drejton Mimoza Kusari, Fitore Pacollin dhe Armend Mujën, për të demantuar Abazin dhe për të bërë një interpretim pozitiv të raportit me vërejtje të Komisionit Evropian.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, në një konferencë për media të mbajtur të premten ka komentuar Raportin për Kosovën të Komisionit Evropian në të cilin janë dhënë disa vërtetje për punën e Kuvendit të Kosovës dhe për partinë e kryeministrit Kurti që ka shumicën në Kuvend.

Abazi ka thënë se vërejtjet për atmosferë të polarizuar që ndikon negativisht në sigurimin e kuorumit për vendimmarrje, mungesën e kohezionit, planit vjetor të punës së Kuvendit janë vërtetje shumë serioze të cilat thotë se i ka adresuar edhe vetë kur ka kritikuar funksionimin e Grupit Paralmentar dhe punën në Kuvend.

Në këtë konferencë për media, Pacolli ka thënë se rezultatet e punës së Kuvendit janë shumëfish më të mira se të viteve të kaluara, edhe përkundër që në raport konstatohet se ka pasur meanxhim të dobët të agjendës legjislative.

“Sa i përket punës së Kuvendit, vlerësohet se Kuvendi është ndikuar negativisht nga një atmosferë e polarizuar politike dhe në vështirësi për të siguruar kuorumin. Për dallim nga raportet tjera ku problemet si mungesa e kuorumit dhe atmosfera polarizuese kanë ndikuar që të ketë vonesa në veprimtarinë legjislative, kjo s’ka ndodhur këtë vit, meqë rezultatet e punës së Kuvendit janë shumë fish më të mira se të viteve të kaluara”, ka thënë Pacolli.

Ajo tutje ka vazhduar të numërojë disa prej ligjeve të cilat thotë se kanë kaluar në Kuvendin e Kosovës, në përpjekje për të argumentuar se Kuvendi s’ka ngecur në agjendë legjislative.

Komisioni Evropian në Raportin për Kosovën dhënë kritika për punën e Kuvendit, duke thënë se puna e Kuvendit ka vazhduar të ndikohet negativisht nga një atmosferë e polarizuar dhe ka pasur vështirësi në arritjen e kuorumit.

Kjo gjë, thuhet në Raport, ka ndodhur edhe përkundër faktit se Qeveria mbështet në një shumicë të fortë.

Gjithashtu në Raport thuhet se ka pasur një menaxhim të dobët të agjendës legjislative nga ana e shumicës, derisa faji për këtë i është vënë edhe deputetëve të opozitës të cilët në disa raste kanë abstenuar nga votimi.

Në konferencën e parë për media, Haki Abazi, ka pranuar se ka kërkuar largimin e Mimoza Kusarit nga pozita e shefes së GP të Vetëvendosjes, duke kritikuar punën e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.