“A e merrni këtë tërheqje të vërejtjes seriozisht?”, ishte pyetja drejtuar Kurtit, i cili u përgjigj se është i gatshëm për angazhim “kreativ” në bisedime me Serbinë.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk janë as dy vjet kohë që Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje nën ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.
Ai këtë e tha për DË kur u pyet për deklaratën e emisarit të BE-së, Mirslav Lajçak, i cili tha se “dritarja e mundësisë” për Kosovën dhe Serbinë është deri në vitin 2024.
“Pajtohem se nuk kemi shumë kohë dhe se ne jetojmë në kohëra jo vetëm të rrezikshme, por edhe të paparashikueshme. Prandaj, nuk jam i sigurt as që i kemi dy vjet kohë. Duhet që sa më shpejt ta bëjmë atë. Për këtë, jam gati të angazhohem kreativisht dhe konstruktivisht në këto bisedime në Bruksel kurdo që të na ftojnë”, tha Kurti.
Lajçak në Prishtinë tha të enjten se Kosova dhe Serbia nuk duhet të shpërdorojnë mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre para zgjedhjeve në SHBA dhe BE në vitin 2024.