Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha se pavarësisht tensioneve në veri të Kosovës dhe rrethanave të reja gjeopolitike, nuk do të rrënohet gjithçka që është ndëruar në Kosovë.
Por duhet pasur kujdes, tha Sejdiu në një intervistë në Shqipëri.
Ai tha se “Serbia është mësuar me gjëra të tilla” dhe se ajo është “e gatshme të bëjë gjëra të tilla” sërish. Por tha se s’do të mund të rrënohet ajo që është ndërtuar në Kosovë.
“Ka instrumente që nuk do të lejojnë të rrënohet e gjithë kjo që është ndërtuar”, tha Sejdiu.
Në procesin e dialogut, Sejdiu tha se “diçka nuk ka ecur”, ndërsa i pyetur për akuzat e kryeministrit Albin Kurti ndaj ndërmjetësve europian, ai tha se “mund të ketë edhe hidhërime të nganjëhershme për çështje që mund të quhen të njëanshme”.
Sejdiu tha se duhet të gjendjet një “zgjidhje e favorshme për krejt kontinentin”.
“Shpesh herë si president kam kërkuar që të ketë intervenim, jo ushtarak, por i sistemit doganor për ta parandaluar një kontrabandë të tillë”, tha ai, duke folur për veriun.
Për Kosovën, Sejdiu tha se “është e rëndësishme që dialogu të mos ketë alternativë”.
“Duhet të kemi kujdes. Por kjo s’duhet të thotë se duhet të pranojmë gjithçka”, tha ai.
“Asociacioni nuk ka asnjë përgjegjësi ekzekutive dhe s’duhet të ketë tendencë për thyerjen e karakterit unitar të shtetit të Kosovës”, tha Sejdiu.