/

Deklarata e Macron se Kosova s’po e mbanë fjalën e dhënë, Tahiri pyet se për çka është zotuar Kurti

Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, foli për deklaratën e presidentit francez, Emmanuel Macron, në lidhje me liberalizimin e vizave, i cili tha se Kosova nuk po e mbanë fjalën e dhënë.

Në lidhje me këtë, Tahiri tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duket të tregojë se çfarë premtimi u ka dhënë liderëve evropian, për çka është zotuar, dhe siç tha ai, për çka nuk po e mbanë fjalën.

“Macron tha se Kosova nuk po e mbanë fjalën e dhënë, a ka mundësi Kryeministri i Kosovës me ardh me i tregu Kuvendit dhe qytetarëve të Kosovës, çfarë premtimi u ka dhënë liderëve evropian, për çka është zotuar si udhëheqës i Qeverisë së Kosovës dhe për çka nuk është duke e mbajtur fjalën”.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha në Tiranë më 17 tetor se Franca bëri një “gjest besimi sa i përket çështjes së vizave për Kosovën”, duke shtuar se “fjala nuk po mbahet”.

“Dua ta them një gjë me shumë qartësi. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato [vizat] janë hequr sepse ne respektojmë fjalën e dhënë. E sot, fjala nuk po mbahet. Pres një angazhim real nga këto dy autoritete [Kosova dhe Serbia] që të ecin përpara në javët e ardhshme. Ky është vetë kushti për paqe në gjithë rajonin”, deklaroi Macron.

Agjencia franceze e lajmeve, AFP, lidhur me deklaratën e Macronit në Tiranë për vizat, tha se me këtë “ai e ka kërcënuar Kosovën me zhbërjen e vendimit të vizave”.

Zbatimi i vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.

Macron foli për vizat në Tiranë duke e ndërlidhur situatën politike mes Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti francez tha se ka ndjekur rritjen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë dhe kërkoi që të dyja palët të ndërmarrin hapa për të shtensionuar situatën. Ai tha se është “përgjegjësi e [presidentit të Serbisë, Aleksandar] Vuçiqit t’i dënojë prerazi sulmet e 24 shtatorit, sepse kontribuon në kthimin e qetësisë në kufi”. Presidenti francez iu referua sulmeve të 24 shtatorit ndaj policisë së Kosovës nga një grup i serbëve të armatosur.

“Në etapat e ardhshme ajo që presim nga autoritetet, nga të dyja palët është e thjeshtë: Riorganizimi i zgjedhjeve në komunat e banuara me shumicë serbe, pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje e institucione, krijimi i asociacionit të komunave serbe nga autoritetet kosovare. Pres që Vuçiqi të jetë i përgjegjshëm dhe të njëjtën gjë pres edhe nga presidentja dhe kryeministri i Kosovës”, tha Macron.

Leave a Reply

Your email address will not be published.