Banka Botërore vlerëson se në Kosovë rritja reale e Bruto Produktit Vendor (BPV) u ngadalësua gjatë këtij viti, por parashikimet e kësaj banke janë se aktiviteti ekonomik pritet të zgjerohet me 3.2 për qind gjatë vitit 2023.
Sipas Paolucci, për Kosovën është i domosdoshëm zbatimi në kohë dhe efektiv i Strategjisë së re të Energjisë duke ruajtur stabilitetin fiskal.
“Në Kosovë, si kudo në Ballkanin Perëndimor, përballë kushteve të jashtme sfiduese, rritja reale e BPV-së u ngadalësua, por mbetet pozitive. Aktiviteti ekonomik pritet të zgjerohet me 3.2 për qind gjatë vitit 2023. Inflacioni ka qenë në rënie të vazhdueshme nga kulmi i tij prej 14.2 për qind në korrik 2022, por presionet mbi çmime mbeten të larta. Perspektiva afatmesme mbetet pozitive, në kontekstin e një pasigurie të lartë. Kontributi i investimeve në rritjen ekonomike pritet të jetë më i lartë në periudhën 2024-2025, i mbështetur nga rritja e investimeve në infrastrukturë publike, përfshirë këtu edhe projektet me financimit të jashtëm, si dhe investimet më të larta publike dhe private në kapacitete prodhuese dhe në efiçiencë të energjisë”, thuhet në raportin e ri Ekonomik i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.
Sipas Bankës Botërore, shkalla e rritjes rajonale në vitin 2024, edhe pse më e shpejtë se në vitin 2023, mund të jetë 0.1 për qind më e ulët seç ishte parashikuar nga Banka Botërore në edicionin e mëparshëm të raportit në muajin prill.
Projeksioni i rritjes për vitin 2025 është mbajtur i pandryshuar në 3.5 për qind.