/

Hoti del nga mbledhja e Komisionit, thotë se regjistrimi i popullsisë fatkeqësisht po shtyhet

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, tha se regjistrimi popullsisë po dështon të realizohet sivjet.

Këtë deklaratë Hoti e bëri pas mbledhjes në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere ku ka raportuar zëvendëskryeshefi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Ilir Berisha, i cili ka thënë se ka dërguar kërkesë në Qeveri që procesi i regjistrimit të popullsisë të shtyhet deri në prill të 2024-ës, për shkak të sfidave që është përballur ky institucion.

“Fatkeqësisht, regjistrimi popullsisë po dështon të realizohet sivjet. Drejtuesit e Agjencisë së Statistikave e bënë të qartë këtë sot në raportimin në Komisionin për Buxhet. Detajet do t’i bëj të ditura në ndërkohë”, ka thënë Hoti.

Ndërkaq, gjatë raportimit në Komision, Berisha ka thënë se sfidat e këtij procesi janë mungesa e tabletave, trajnimi i stafit si dhe procesi i regjistrimit në komunat veriore.

Ai ka thënë se si ASK janë duke paraparë që regjistrimin përveç me metodën e tabletave, ta bëjnë edhe me dy metoda të reja duke përfshirë këtu edhe regjistrimin online përmes e-Kosovës.

“Jemi vone me testim e tablateve, kjo pasi kompania fituese ka dështuar që t’i sjellë tabletat më kohë, për këtë kemi shkëputur kontratën me atë kompani. Kemi nënshkruar marrëveshje me një kompani të re e cila brenda 14 dite do t’i sjell tabletat. Tabletat duhet të jenë se paku një muaj përpara datës së fillimit të regjistrimit, ne ende nuk i kemi. Trajnimi do të bëhet me tableta, ne po tentojmë që regjistrimi të mbaroj në këtë vit. Sfidat janë këto, mungesa e tablateve, stafi në teren dhe një çështje tjetër që ne e kemi cekur vështirësitë në katër komunat veriore për shkak të ngjarjeve të 24 shtatorit, pasi sipas rekomandimeve në vendet ku situatat nuk janë të qetë nuk preferohet të bëhet regjistrimi”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published.