Kompania “Sallahu” del me sqarim pas pezullimit të punimeve në rrugën “A”

Pas lajmit të djeshëm se janë pezulluar punimet në rrugën “A” të kryeqytetit, me vendim të Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale të Kosovës, kompania përgjegjëse për ndërtimin e saj ka dalë me një sqarim, të cilin e ka quajtur “reagim/njoftim”.

Në reagim thuhet se Operatori Ekonomik “Sallahu Shpk” “me pronar Lulzim Sallahu, sipas Certifikatës së lëshuar nga Gjykata kompetente, nuk ka asnjë dënim dhe është plotësisht i përgjegjshëm sipas Ligjit të Prokurimit Publik”.

Kompania thotë se fakt ky që dëshmohet me dokumentin si më poshtë:

“Nga faktet e prezantuara, shprehim shqetësimin tonë lidhur me zbatimin e gabuar të dispozitave materiale dhe procedurale, si dhe tejkalimit të kompetencave në procesin e vendimmarrjes lidhur me rastin në fjalë, pasi që në Arsyetimin e Aktvendimit shohim se Gjyqtarja Vlora Pacolli – Rexhepi, i ka falur besimin provave dhe të dhënave të pavërteta – të rrejshme, dhe të paqëndrueshme të një pale të cilës i ka humbur legjitimiteti, duke paraqitur kështu një gjendje inekzistente”, deklaron kompania në këtë reagim.

Kompania thekson më tej se “këto veprime e dëmtojnë rëndë besimin në funksionim të ligjit dhe kredibilitetin e sistemit gjyqësor si institucion i pavarur, profesional dhe i paanshëm”.

“Sallahu Shpk” thotë se procedura e këtij aktiviteti të prokurimit, që nga inicimi e deri në përfundimin e saj “është zhvilluar në përputhje me parimet dhe dispozitat ligjore që i referohen Prokurimit Publik ne Kosovë, dhe se tenderi në fjalë i është nënshtruar dy komisioneve profesionale vlerësuese në të cilat kemi dalë si OE i përgjegjshëm, dhe mbi bazën e përgjegjshmërisë edhe jemi rekomanduar me Kontratë”.

Prandaj, kompania thotë se konsideron që “grupet e interesit, në pamundësi që të i realizojnë qëllimet e tyre, në vazhdimësi kanë ndërmarrë veprime të papërgjegjshme dhe propaganduese në forma dhe mënyra të ndryshme, pikërisht lidhur me Aktvendimin e publikuar të dt 17.10.2023, ku si palë me interes para disa dite ju kemi drejtuar Këshillit Gjyqësor dhe Gjykatës Komerciale që të sigurojnë pavarësinë, mosdiskriminimin, profesionalizimin dhe paanshmërinë në shqyrtimin e këtij rasti, e poashtu edhe nga Prokuroria Speciale e Kosovës që të iniciojë hetime, ku për shkak të implikimeve ndryshme, ka dyshime për elemente të veprës penale”.

“Duke qenë se në këtë Aktvendim janë evidentuar gabimisht faktet, do të kërkojmë nga Gjykata Komerciale e Kosovës të na përfshijë në këtë procedurë si palë me interes duke na mundësuar qasje dhe prezantim të provave gjatë trajtimit të çështjes nga Dhomat e Shkallës së Dytë”, përfundoi reagimi i Operatorit Ekonomik “Sallahu Shpk”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.