Kurti nga Greqia: Provat tregojnë për përfshirje të Serbisë në sulmin terrorist në Banjskë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Greqisë, ku është duke marrë pjesë në një panel diskutues të organizuar nga “The Economist”.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Kurti nuk la pa e përmendur sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Ai tha se provat kanë treguar që shteti i Serbisë ishte i përfshirë dhe kishte planifikuar invazion në veri të Kosovës.

“Më 24 shtator, 1 muaj më parë, agresioni që e kemi parë, kulmoi kur grupet paramilitare të armatosura që ishin trajnuar në baza ushtarake zyrtare të Serbisë, u futën në shtetin tim dhe hapën zjarr kundër forcave të Policisë, duke vrarë një prej zyrtarëve policorë. Njëkohësisht, Serbia u angazhua në atë që SHBA-ja e përshkruan si angazhim të paprecedent të ushtrisë përgjatë kufirit tonë. Në ditët në vazhdim, një numër i madh i provash treguan për përfshirjen dhe planifikimin e një invazioni në shkallë më të madhe, nga vetë shteti”, tha Kurti.

Kurti theksoi se armatimi i përdorur nga grupi terrorist në Banjskë nuk mund të sigurohej pa ndihmë shtetërore. Ai u shpreh se pas këtij agresioni, janë ngjallur pikëpyetje për një sulm të ri nga Serbia në Kosovë.

“Ky fakt ishte i vetëkuptueshëm, meqë asnjë grup civilësh nuk do të mund të siguronte armatim të tillë, dhe ta transportonte përgjatë kufijve, pa të paktën mbështetjen e parezervë të qeverisë. Agresioni përfundoi jo me dëshirën për t’u tërhequr, por sepse u mbimanovruan strategjikisht. Që nga atëherë kemi mbetur duke pyetur nëse do të ketë një pjesë të dytë të këtij sulmi. Kërcënimi që shtetet autoritare paraqesin për Evropën, nuk është aspak ideologjik, dhe duhet ta adresojmë si të tillë”, tha Kurti.

Kurti përmendi edhe furnizimin me armë të Serbisë nga Kina, derisa i bëri thirrje BE-së të mos i lejojnë shtetet si Serbia të kryejnë akte agresioni ndaj shteteve demokratike siç është Kosova.

“Fqinji ynë verior vazhdon ngritjen ushtarake, edhe duke marrë furnizime nga burime të reja, përfshirë një dërgesë të re nga Kina. Koha e tanishme, nuk është për të mos vepruar. Për të mbajtur sigurinë e Evropës në të ardhmen, është thelbësore që institucionet evropiane të mbyllin boshllëqet që lejojnë autoritarët të kryejnë akte agresioni e lufte kundër demokracive evropiane dhe vlerave të tyre. Secila dobësi që mbetet e hapur, sigurisht që do të shfrytëzohet për të minuar funksionimin e duhur të të sistemeve tona demokratike”, tha ai.

DTV

Leave a Reply

Your email address will not be published.